Vatikan, “Shën Pjetri” mbushet me “vizitorë” të rrallë

17/01/2017 00:00

Mijëra njerëz i drejtohen Vatikanit çdo ditë, por të martën, turma që kish mbushur sheshin e Shën Pjetrit ishte e një tjetër lloji.

Lopë, derra, kuaj dhe kafshë të përmasave më të vogla ishin vendosur në afërsi të sheshit, për të marrë bekimin në ditën e Shën Antonit, shenjti përgjegjës dhe mbrojtës i kafshëve.

Çdo vit, për të shënuar ditën e këtij shenjti, Shoqata e blegtorëve italianë e shndërron zonën në një fermë të improvizuar, me kafshë që vijnë nga i gjithë vendi.

“Zoti ka bekuar të gjithë. Të gjitha krijesat. Edhe kafshët janë të çmuara”, thotë një murgeshë.

“Për ne, ky është një rast i mrekullueshëm. Është një ditë e rëndësishme, sepse etërit tanë e kanë festuar atë, është një traditë mijëravjeçare dhe ne do ta vazhdojmë atë”, shpjegon presidenti i Shoqatës së blegtorëve, Roberto Nocentini.

Shën Antoni ishte lindur në Portugali në vitin 1195 dhe u bë një murg françeskan. Ai jetoi në mënyrë të thjeshtë dhe gjithnjë tregonte kujdes të veçantë për kafshët. Vdiq në moshën 35-vjeçare dhe u bë shenjt vetëm një vit më pas.

Sigurisht, për kafshët kjo ishte një ditë e mirë për shëtitje. Por kishte edhe nga ato që bënin jo pak zhurmë dhe rrëmujë.

Top Channel