Viktima e Shën Gjergjit, prokuroria: Ishte vrasje

17/01/2017 00:00

Prokuroria e Tiranës dyshon se Besnik Pudja nuk është vetëvrarë, por është vrarë për motive që mund të kenë lidhje me drogën.

Për këtë arsye, katër muaj pas ngjarjes, prokurori Alket Mersini ia ka deleguar dosjen për veprime të mëtejshme policisë së kryeqytetit, në sektorin që heton vrasjet e pazbardhura.

Prokuroria është e bindur për mënyrën se si ka humbur jetën 36-vjeçari pas një akt-ekspertize të përcjellë nga mjekësia ligjore, që thotë se viktimës nuk iu gjetën elementë të faktorëve plotësues në dorë.

Që do të thotë se, nëse Besnik Pudja do të ishte vetëvrarë, atëherë ekspertët do të konstatonin elementë të barutit në duart e tij, që do të kishin ngelur pas të shtënës me pistoletë.

Besnik Pudja u gjet i pajetë në fillim të muajit tetor 2016 në një kapanon në fshatin Kollagjesh. Gjatë këqyrjes së vendngjarjes, policia sekuestroi tre rrënjë bimë narkotike, çka forcoi dyshimet se ky ambjent po përdorej për tharje të bimëve, ndërsa viktima, sipas familjarëve, ishte punësuar si punëtor.

Policia e Tiranës arrestoi tre persona për moskallëzim krimi, pasi dy prej tyre dëshmuan se viktima, nën efektin e alkoolit, duke luajtur me armë ishte vetëvrarë, version ky që rrëzohet shkencërisht, sipas organit të akuzës.

Nga ana tjetër, megjithëse janë gjetur në vendngjarje 3 rrënjë kanabis, prokuroria ka veçuar çështjen dhe po heton edhe disa persona të tjerë për kultivim droge.

Top Channel