Balla: PD të kthehet në Komision

17/01/2017 00:00

“I bëj thirrje PD të vazhdojmë mbledhjen e komisionit atje ku e kemi lënë”. Ftesën për t’u ulur sërish bashkë në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, Taulant Balla ja drejtoi PD duke hedhur poshtë përfundimisht atë çka për demokratët është kusht i panegociueshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme, votimin dhe numërimin elektronik.

“Kërkesa e PD për votimin  elektronik, ka një kakofoni të PD sepse në fillim para disa muajsh ka kërkuar thjesht numërimin elektronik dhe identifikim biometrik, sipas asaj që në 2013 dështoi. Tani që kaluam të gjitha afatet, kërkon votim tërësor elektronik. Kemi qënë të qartë, ne do adresojmë rekomandimet e osbe odhir. minimalisht koha për implementimin e një sistemi elektronik kërkon 18-24 muaj kohë. Kaq është e mjaftueshme fizibël për të garantuar sukses”, tha Balla.

Në një pikë Taulant Balla është në një mendje me opozitën:

“Kemi vetëm një shqetësim, standardin e zgjedhjeve”, vijon ai.

Mazhoranca kërkon që në këto pak javë kohë që i kanë mbetur këtij komisionit të punohet dhe të arrihet dakordësia edhe për krimet dhe korrupsionin zgjedhor, pasi Komisioni i Ligjeve ka nisur tashmë diskutimet për ndryshimet në Kodin Penal, për të cilat PS, LSI e PDIU kanë unifikuar votat.

Top Channel