Acari nuk i ndahet Amerikës

17/01/2017 14:10

Acari nuk i lëshon rajonet qendrore dhe ato perëndimore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Stuhia dimërore, e përplasur mbi këto zona, ka sjellë edhe më shumë akull, kufizime të energjisë elektrike dhe bllokime të transportit.

Të paktën 5 vdekje të lidhura me qarkullimin në rrugë i faturohen motit të acartë. Në Demuan të Ajouas, banorët kanë pasur vështirësi të dalin nga shtëpitë për shkak të shtresës së trashë të akullit që kishte mbuluar kopshtet përpara tyre dhe rrugët.

Disa makina u përplasën si pasojë e rrëshqitjes në rrugë dhe nuk ishin të paktë edhe drejtuesit e automjeteve që e gjetën veten në mes të stuhisë, të pamundur të lëvizin prej akullit të madh.

Edhe Nebraska u godit shumë ashpër nga stuhia e dëborës, pasojë e të cilës ishte anulimi i disa fluturimeve dhe bllokimi i udhëtarëve në aeroporte. Në aeroportin e Omahas mbetën në tokë të paktën një duzinë avionësh dhe shumë të tjerë patën vonesa. Punonjësit kanë bërë të pamundurën për të pastruar akullin nga pistat, duke përdorur edhe kimikate.

Me kushte ekstreme të motit janë përballur edhe Misuri, Kansasi dhe Oklahoma.

Top Channel