Vetë politikanë dhe opozitarë serbë e kanë dënuar vendimin e Beogradit zyrtar për të dërguar në Kosovë një tren të mbushur me motive nacionaliste dhe ikona nga manastire ortodokse të Kosovës.

Lideri i Partisë Demokratike, Dragan Sutanovaç e akuzoi Presidentin Tomisllav Nikoliç për deklarata luftëndjellëse që po u hedhin benzinë zjarrit të konflikteve dhe po shpërfaqin minoritetin serb në Kosovë përballë rreziqeve.

“Nikoliç do të çonte sot fëmijët e dikujt tjetër në një luftë të humbur që në fillim”, citohet Sutanovac pas pohimeve të kreut të shtetit serb se është gati që të dërgojë ushtrinë në Kosovë.

Nisjen e trenit Beograd-Mitrovicë e dënojnë edhe mjaft analistë serbë, që e konsiderojnë një provokim të panevojshëm që ka dëmtuar marrëdhëniet dypalëshe. Aleksandër Popov dhe Bojan Klajçer akuzojnë politikanët e Serbisë se me deklaratat nxitëse të kësaj natyre po përpiqen të rrisin popullaritetin e vet përpara zgjedhjeve presidenciale të pranverës dhe janë duke tentuar të forcojnë pozitat e Beogradit në bisedimet e nisura para gjashtë vjetësh me Prishtinën me ndërmjetësimin e BE.

Ndaj fjalëve të Nikoliçit ka reaguar edhe kryeministri kosovar Isa Mustafa që e bëri të qartë se serbëve të Kosovës nuk u nevojitet mbrojtja e Beogradit.

“Ata janë qytetarë me të drejta të barabarta të kësaj republike. Asnjë rrezik nuk u kanoset dhe nuk ka për t’ju kanosur ndonjëherë”, ishte komenti i Isa Mustafës.

Top Channel