Tenis, Nadal kalon në raundin e dytë të Australian Open

17/01/2017 00:00

Rafael Nadal nuk e përsëriti gabimin e edicionit të kaluar në Australian Open dhe u kualifikua për në raundin e dytë të kompeticionit të këtij viti. Tenisti spanjoll eliminoi në raundin e parë Florian Mayer, teksa e mposhti me rezultatin e pastër 3-0.

Ishte një ndeshje e lehtë kjo për ish-numrin 1 të botës, i cili u rikthye në fushat e lojës pas një mungese të gjatë për arsye dëmtimi. Nadal i fitoi setet e takimit me rezultatin 6-3, 6-4 dhe 6-4 dhe si kundërshtar të radhës do të ketë tenistin qipriot Markos Bagdatis.

U kualifikua për në raundin e dytë edhe Milosh Raoniç, i cili mundi gjermanin Dustin Brown. Edhe kanadezi i mbylli shpejt llogaritë e ndeshjes së tij, të cilën e fitoi në 3 sete (6-3, 6-4 dhe 6-2) në vetëm 93 minuta lojë. Në raundin e dytë, Milos Raoniç do të përballet me tenistin nga Luksemburgu, Gilles Muller, i cili fitoi ndaj amerikanit Fritz me rezultatin 3-0.

Në kampin e femrave, Serena Williams nisi rrugëtimin drejt titullit të saj të 23 “Grand Slam” me fitoren ndaj Belinda Bençiç. Tenistja amerikane, e cila ka luajtur vetëm 2 ndeshje që nga shtatori i vitit të kaluar, e mposhti kundërshtaren e saj në 2 sete (6-4 dhe 6-3), në 1 orë e 19 minuta lojë. Në raundin e dytë, Serena Williams do të luajë ndaj çekes Lusi Safarova.

Top Channel