Rikthehet Massa, sërish pjesë e Williams

17/01/2017 00:00

Tërheqja e Felipe Massës nga garat e Formula 1 nuk zgjati shumë. Piloti brazilian do të jetë sërish pjesë e këtij botërori pasi pranoi të rikthehet në pistë për të garuar sërish me Williams ku do të marrë vendin e lënë bosh nga Valteri Bottas i cili u bë pjesë e Mercedes.

Massa, nënkampion bote i Formula 1 në vitin 2008, do të ketë si shok skuadre të riun kanadez, Lance Stroll. Drejtoresha e Përgjithshme e skuadrës britanike, Claire Williams kishte deklaruar kohë më parë se do ta lejonin Bottas të shkonte te Mercedes vetëm nëse do të gjenin zëvendësuesin ideal të tij dhe rikthimi i Massës duket se ishte zgjedhja më e mirë.

“Jam shumë i kënaqur që m’u dha mundësia për t’u rikthyer te Ëilliams. Dëshira ime ishte që të garoja edhe për vitin 2017 dhe Williams është një skuadër që e kam shumë për zemër dhe që e respektoj për atë që kërkon të arrijë. Valteri Bottas fitoi një mundësi të artë duke parë atë cfarë ndodhi javët e fundit dhe i uroj më të mirën te Mercedes”, tha piloti brazilian.

Top Channel