Bashkia e Tiranës, paketë masash për emergjencat

17/01/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka vendosur që një nga qendrat sociale të Tiranës ta kthejë në një strehë të përhershme për këdo që jeton në situatë rruge në kryeqytet.

Duke folur në takimin përmbyllës të projektit “Ngritja e kapaciteteve të Shërbimit Social Shtetëror”, i organizuar nga “Balkan Youth Link Albania” dhe Instituti “Benussi”, me mbështetjen e UNICEF dhe Zyrës Zvicerane për Zhvillim, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se situata e emergjencës që kaloi Tirana ditët e acarta të javës së shkuar, nxorri në pah nevojën për zgjidhje afatgjatë të problemit të të gjithë atyre që jetojnë në kushte rrethanore.

“Nga 7 qendrat që funksionuan për menaxhimin e situatës, një prej tyre do të kthehet në një qendër permanente për dikë që është në situatë rruge dhe do të kalojë natën, të plotësojë nevojat e veta higjieno-sanitare dhe të ketë një strehë në kokë, sidomos në netë si ato që kaluam”, tha Veliaj.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se një tjetër masë që do të merret për të përballuar situata të tilla emergjence, por edhe për t’u ardhur në ndihmë atyre që janë në nevojë, është edhe ajo për të krijuar një fond të veçantë ushqimesh e veshmbathjesh.

“Kemi marrë një vendim, nisur edhe nga solidariteti që pamë në qytetin e Tiranës, në çadra, batanije, ushqime, dyshekë, ushqime, për të krijuar një rezervë të qytetit, ashtu siç janë rezervat e shtetit. Bashkia e Tiranës ka identifikuar një magazinë ku do të bëjë një imitim në miniaturë të rezervave të shtetit, për rezervat e qytetit”, tha ai.

Top Channel