Idrizi: LSI? Nuk i trembemi ‘luftës’. Manjani të mos hallakatet

16/01/2017 00:00

Shpëtim Idrizi kreu i PDIU-së, u tregua tepër i rezervuar me LSI-në. Në Top Story, Idrizi artikuloi qartë pretendimet e tij se, për kauzën e partisë së tij do t’i nevojiteshin të gjitha forcat politike. Por ai nuk iu shmang luftës politike, nëse dikush do ta sulmonte partinë çame

“Kam raporte shumë të mira edhe me Metën, edhe me Ramën edhe me Bashën sepse jo vetëm është natyra ime, por edhe vokacioni i PDIU. Ne na duhen të gjitha forcat politike për çështjen çame dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi. Jam takuar, kam folur dhe nuk kam patur e nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Ne nuk duam luftë me partitë e tjera, nuk e kemi problem të bëjmë luftë, por nuk e duam”, u shpreh kreu i PDIU.
 
Idrizi konfirmoi se do të ishte pjesë e koalicionit qeverisës edhe në zgjedhjet e ardhshme. I pyetur për deklaratat e ashpra ndaj tij të ministrit të Drejtesisë, Ylli Manjani të enjten në Top Story, Idrizi kujtoi se LSI ka patur një mandat 4 vjeçar me PD-në.

“Më del sikur zoti Manjani nuk e di që LSI ka qenë nja 4 vjet në pushtet me PD. Unë sot njoh parti të majta që veprojnë si të djathta dhe të djathta që veprojnë si të majta. Nuk di që një parti sot në Shqipëri të jetë votuar për programin e saj të majtë apo të djathtë. Ka parti që kanë unifikuar dhe kanë çështjet e tyre”, tha Idrizi.

I pyetur nëse përplasja me Greqinë do të shkaktonte një veto nga fqinjët për anëtarësim në BE, Idrizi mohoi që kjo të ndodhë.

“Çështja çame është çështje drejtësie dhe jo monedhë shkëmbimi. Realisht shtetet, komunitetet dhe ne besojmë shumë tek demokracia bazohen mbi institucionet e demokracisë. Ne besojmë që Greqia është vend që respekton standardet e drejtësisë dhe demokracisë. Nuk varet nga Greqia. Nuk e bllokon për shkak të çështjes çame sepse do të pranonte ekzistencën dhe zgjidhjen e saj. Kjo është arsyeja që Greqia e zhvendosi tek 15 shtëpi në Himarë vëmendjen dhe jo tek një zonë ku jeton minoriteti i saj”, tha ai.

PDIU, sipas Idrizit do të kërkojë drejtimin e një Ministrie të Diasporës në të ardhmen.

Intervista

Idrizi e nisi fjalën e tij duke folur për propozimin për komision hetimor për çështjen çame.

Shpëtim Idrizi, kryetar i PDIU: Kishim kërkuar një komision të posaçëm, por realisht edhe nga shërbimet e Kuvendit na u sugjerua që të ishte një komision hetimor dhe besoj që do ta depozitojmë brenda pak ditësh.

Sokol Balla: Pra është teknikalitet?

Shpëtim Idrizi: Besoj që është teknikalitet dhe unë besoj dhe shpresoj që është një teknikalitet.

Sokol Balla: Sot Gramoz Ruçi ju doli kundër, të paktën teknikisht? E po ashtu edhe zonja Dade.

Shpëtim Idrizi: Zonja Dade nuk është hera e parë që ka dalë kundër. Megjithatë, ky është rasti që në këtë komision do të përbëhet nga anëtarë nga të gjitha forcat, do të thotë që në këtë komision do të marrin pjesë të gjithë. Janë veprime normale për një parti politike që e ka vokacion kryesor çështjen e Çamërisë dhe është hapi i parë.

Sokol Balla: Hapa të tjerë cilat janë?

Shpëtim Idrizi: Jetësimi i një “road map” duke marrë të gjitha dokumentat pronësore të Çamërisë dhe të gjithë shqiptarët e Çamërisë që kanë familjarë të zhdukur, do të japin ADN, e më pas të identifikojmë të vdekur në bazë të eshtrave që ne i dimë se ku ndodhen.

Sokol Balla: Kjo kërkesë ishte njëfarë provokimi, duket si provokim ndaj LSI-së dhe Metës ku pas vizitës së tij në Athinë nuk iu shmang kritikave, sidomos tuajave?

Shpëtim Idrizi: Ne flasim për një të drejtë që buron nga një padrejtësi e madhe historike. Në vitin 1996 komisionet mikse ranë dakort që të paktën të ngrihen varrezat për partizanët çamë. Ajo që po kërkojmë ne për reciprocitet është që të zbatohet kjo marrëveshje për viktimat çame. Përsa kohë që pala greke nuk është e gatshme që të paktën të vdekurit t’i trajtojë njësoj, kemi të drejtën që të mos lejojmë avancimin e varrezave të tjera greke në Shqipëri. Kërkohen 600 vendgërmime të tjera, të gjitha në hartën e asaj që grekët e quajnë vorio-epir. Gjyshërit e mi vlejnë po njësoj si ushtarët grekë dhe përsa kohë që gjyshërit e mi dhe shqiptarët e Çamërisë, nuk do të kenë varreza në Greqi, absolutisht unë personalisht dhe u bëj thirrje shqiptarëve që të mos lejojmë varrezat greke.

Sokol Balla: Si e shpjegoni artikulimin e Metës?

Shpëtim Idrizi: Artikulimi i Metës është i pamjaftueshëm. E kuptoj dialogun, por me kë të bëjmë dialog? Një ndër kritikat që kemi patur me Metën është fakti që Meta fliste për dialog, Presidenti i kërkoi në vetë të parë avancimin e jo më varrezave, por e pjesës tjetër të varrezave. Në këtë moment Meta duhej të artikulohej qartë për varrezat e shqiptarëve të Çamërisë.

Sokol Balla: Ky është thelbi i mërzisë mes palëve?

Shpëtim Idrizi: Unë nuk kam asnjë mërzi.

Sokol Balla: Ka një mërzi në dukje. Si e komentoni deklaratën e Manjanit?

Shpëtim Idrizi: Manjani është në një post i rëndësishëm që kërkon shumë seriozitet dhe nuk i lejohen hallakatje të tilla kur flasim për reformën në drejtësi. Manjani për raportin me PDIU duhet të pyesë zotin Meta, e sqaron Meta. Sot le të shohë brenda grupit të vet parlamentar, nëse flet për një raport që ka fituar me Ben Blushin në Elbasan, nuk besoj që të ketë shkuar mirë PS me LSI në Elbasan, sepse kjo nuk do të reflektonte 13 mijë votat e PDIU atje. Mua nuk më jep asnjë shqetësim dhe nuk e identifikoj me LSI-në. Ne nuk sulmojmë ndokënd.

Sokol Balla: Ju u përgjigjet dhe Mesila Doda shkoi shumë thellë duke deklaruar se origjina e atyre deklaratave të Manjanit vjen nga Greqia.

Shpëtim Idrizi: Në fakt nuk mendoj që është fut thellë, por në fund nxorri në dritën e diellit një gjë që bëmë sikur e anashkaluam. Në kongresin e Syriza-s, manjani bëri një artikulim jokorrekt dhe zonja Doda i kujtoi këtë gjë. Për ne, raportet me LSI nuk i shohim si betejë, as kundërshtarë.

Sokol Balla: Pse u larguat nga opozita?

Shpëtim Idrizi: Gjatë gjithë kohës, PDIU është krijuar si një forcë politike që ka një ndër çështjet kryesore shqiptarët e çamërisë, për shkak të kauzës për të cilën ne jemi krijuar, do të vazhdojë që të qëndrojë afër vendimarrjes, sepse ne nuk mund të shtyjmë dot kauzat tona pa qenë pranë vendimarrjes. Ne kemi trimëruar politikën tonë të jashtme. Edhe me PD kemi qenë kontributorë, jo pjesë e pushtetit. Nëse nuk do të ishte çështja e rezolutës që e vendosëm në një periudhë të tillë, si test apo se me kë do të bënim koalicion, ne e dinim shumë mirë, që pas 8 viteve pushteti mund të kalonte me PS. Dy gjëra kam patur shumë të rëndësishme në karrierën time, rezolutën për camërinë, varrezat e Kllogjerit. Nuk kam kërkuar asnjëherë që të jem në listat e dikujt,

Sokol Balla: Po krijohet një kend i paparaashikuar në atë trekendëshin PS-PD-LSI?

Shpëtim Idrizi: Ka shumë kohë që është bërë katërkendësh në politikë dhe PDIU është një realitet. A është katror, drejtkendësh apo katror, do ta shohim në zgjedhjet që vijnë.

Sokol Balla: Sa ndikon në klimën e koalicionit kjo?

Shpëtim Idrizi: PDIU nuk ndjen dhe nuk shkakton asnjë problem në koalicion. Ne vazhdojmë punët tona, kauzat tona.

Sokol Balla: I fiton zgjedhjet ky koalicion PS-PDIU pa LSI-në, siç thotë Aqif Rakipi?  E quani veten bashkëkryetar të koalicionit?

Shpëtim Idrizi: PDIU bën gabim çdo parti tjetër që e sheh si shtojcë apo që po e përdor ky apo ai. PDIU nuk është as shpatë, as jastëk i asnjërës. Ne jemi parti sovrane dhe e kemi treguar këtë gjë. PDIU është ftuar në këtë koalicion në momentin e reformës administrative, u futëm për bashkëinë çame të Konispolit, edhe për Himarën e sotme, një zonë shqiptare e konsoliduar dhe jo vend përplasjesh. Kur kemi hyrë në këtë koalicion janë pyetur të dy palët. Është si puna e asaj që në një shtëpi nuk mund të hysh pa marrë leje nga burri dhe gruaja. Gjithsesi, unë besoj dhe shpresoj që ky koalicon të shkojë kështu siç është dhe të jetë fitues.

Sokol Balla: Rakipi ka qenë shumë aktiv në zgjedhjet lokale në Dibër, ku LSI mbajti një pozicion më të tërhequr se PDIU ndaj këtyre zgjedhjeve, që u duk sikur do të umbeshin nga koalicioni i majtë, por në fakt ato u fituan dhe u duk sikur këtu u konsolidua një fërkim dhe shkëndi mes dy partive të koalicionit?

Shpëtim Idrizi: Doni të thoni që habitati që u krijua në zgjedhje lokale…ato ishin zgjedhje lokale aksidentale. Ne jemi pesë deputetë dhe nuk kemi deputetë në të gjitha qarqet dhe Rakipi ka qenë i ngarkuar që të punonte më shumë në zonën e Dibrës. PDIU nuk u shfaq në këto zgjedhje për herë të parë në Dibër. Ne kemi qenë gati-gati parti e dytë nga koalicioni në këtë zonë. Nuk u shfaqëm nga hiçi, por kemi bazë shumë të mirë. Ne hymë, dhamë kontributin tonë. Kandidati doli fitues dhe nga krahu tjetër që dikutj që nuk i pëlqeu kjo gjë filloi të flasë se gjetëm çamë në Dibër.

Sokol Balla: Ky koalicion e ka të sigurtë fitoren me tre partitë bashkë?

Shpëtim Idrizi: Jam i bindur që ky koalicion do të konfigurohet.

Sokol Balla: Ju e keni marrë vendimin?

Shpëtim Idrizi: Do të vendosin forumet për këtë. Por nuk kemi asnjë ftesë, por mund të them që bashkë me një grup pune po hartojmë një listë me kërkesat tona. Ne po presim që ky koalicion, ku parti kryesore është PS, pastaj vjen LSI ne presim nga këta që të na ftojnë në koalicion.

Sokol Balla: Manjani foli për një koalicion të majtë, ndërkohë që PDIU ka një elektorat tradicional të djathtë.

Shpëtim Idrizi: Me del sikur zoti Manjani nuk e di që LSI ka qenë nja 4 vjet në pushtet me PD. Unë sot njoh parti të majta që veprojnë si të djathta dhe të djathta që veprojnë si të majta. Nuk di që një parti sot në Shqipëri të jetë votuar për programin e saj të majtë apo të djathtë. Ka parti që kanë unifikuar dhe kanë çështjet e tyre.

Sokol Balla:  Pra ju do të mbani portat e hapura nga të dyja krahët politike?

Shpëtim Idrizi: Ne jemi pjesë e këtij koalicioni, unë perosnalisht do të doja që të mos bëheshim fare pjesë e koalicioneve, por sistemi zgjedhor na detyron që të shkojmë ne koalicion.

Sokol Balla: Si e komentoni ultimatumin e PD për zgjedhjet?

Shpëtim Idrizi: Kjo reformë ka dy bashkëkryetarë dhe në një vit jemi mbledhur dy herë, dhe ka një vit që ky komison nuk mblidhet. Kjo do të thotë që as PD dhe as PS nuk e kanë seriozisht reformën pasi bashkëkryetari i PD mund ta thërriste këtë komision. Kam frikë që për gjithçka është bërë vonë dhe vonesat i kanë bërë dy partitë e mëdha që të administrojnë gjithë procesin zgjedhor.

Sokol Balla: Pse nuk keni një post në Qeveri?

Shpëtim Idrizi: Jemi pjesë e pushtetit, por nuk kemi konsumuar pushtet. PDIU nuk ka një njeri të punësuar nga PDIU. Në bashki ku hymë bashkë, përveç 2-3 nënkrytarëve. Jemi të përfshirë në këtë bashkëqeverisjeje me 1 përqind. Nëse do të ishte për poste, ne do të kishim ikur me vrap nga kjo mazhorancë, por ne do të rrijmë për atë çka ka bërë kjo qeveri për çështjen çame.

Sokol Balla: Çfarë ka bërë?

Shpëtim Idrizi: Kjo është qeveria e parë që e ka në program qeveritar zgjidhjen e çështjes çame. Për herë të parë mes dy vendeve është ndër çështjet kryesore për herë të parë, u fut në dosjen diplomatike dhe për herë të parë u deklarua në Bruksel. Kemi një hapje dhe një lobim shumë më të drejtpërdrejtë. Për herë të parë kemi një qeveri që vepron me reciprocitet karshi çdo shteti tjetër, në këtë rast me Greqinë.

Sokol Balla: Do ta kërkoni të bëheni pjesë e Qeverisë?

Shpëtim Idrizi: E kemi kërkuar dhe do ta kërkojmë. Ne kemi një program të mirëfilltë për ekonominë dhe për gjitha fushat, përveç çështjes çame. Që të marrim ndonjë ministri për çështjen çame? Nuk di që ka një ministri të mirëfilltë për çështjen çame. Sikur të kishim mundësi që të zgjidhnim…

Sokol Balla: Ministrinë e Jashtme?

Shpëtim Idrizi: Po! Ne kemi kërkuar zv.ministrin e Jashtëm. Ato që kemi marrë janë ato që na kanë lënë. Ne kërkojmë Ministrinë e Diasporës, jo se e duam ne, por është e pafalshme që një vend si Shqipëria me 35 përqind emigrantë, nuk kanë një institucion që t’u përgjigjet. Ne kemi bërë që në kohën e Berishës, kemi hartuar ligjin duke marrë modelet më të mira. Ne kemi kërkuar që edhe emigrantët të jenë të përfaqësues në Parlamentin e Shqipërisë. Ata që nuk janë rezidentë në Shqipëri, duhet të votojnë dhe mjafton t’i kthehemi rregullit të Zogut, ku një vinte nga Vatra në SHBA dhe një tjetër nga arbëreshët e Italisë.

Sokol Balla:  Si ju duket klima e koalicionit?

Shpëtim Idrizi: Kam raporte shumë të mira edhe me Metën, edhe me Ramën edhe me Bashën sepse jo vetëm është natyra ime, por edhe vokacioni i PDIU. Ne na duhen të gjitha forcat politike për çështjen çame dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi. Jam takuar, kam folur dhe nuk kam patur e nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Ne nuk duam luftë me partitë e tjera, nuk e kemi problem të bëjmë luftë, por nuk e duam. 

Sokol Balla: Kanabisi është problem për ju?

Shpëtim Idrizi: PDIU është treguar e kujdesshme që të mos bëhet pjesë e kakofonisë së mpirjes së politikës shqiptare. Unë besoj që ne sot, do ta konsumojmë këtë brenda interesave tona, por jam i bindur që sot shqiptarët duhet të dijnë se çfarë do të bëhet me ekonominë e tyre. Ne akoma nuk i kemi dhënë përgjigje se kush është profili i ekonomisë shqiptare.

Sokol Balla: Festim Lato shfaqet herë si kryeministër dhe herë si President i Republikës së Çamërisë…

Shpëtim Idrizi: Çështja çame është një çështje shumë serioze që mbart një padrejtësi të madhe historike dhe shkelja e të drejtave, nuk është çështje e gaztorëve të oborrit, palaço politikë por edhe agjenturash. Personi në fjalë, është palaço oborri që ka 10 a 15 vjet që nuk vjen në Shqipëri, që një ditë të bukur nga shpall në një vend të Europës qeverinë e Çamërisë dhe qenka edhe president edhe kryeministër dhe e gjitha kjo në momentin kur u artikulua për çështjen çame në Bruksel.

Sokol Balla: Burime politike dhe diplomatike greke thonë se partia juaj dhe parti të tjera janë të mbështetura dhe sponsorizuara nga Erdogani…

Shpëtim Idrizi: Unë kam shkuar në Turqi, do shhkoj prap për një arsye të thjeshtë, sa shqiptarë të Çamërisë kanë ardhur në 1944 në Shqipëri, aq ndodhen në shkëmbimin e padrejtë të popullsisë. Ka 70 vjet që ajo që nuk ngjit në Greqi, thonë është Turqia pas tij. Çdo lidhje është insinuatë.

Sokol Balla: Përplasja e çështjes tuaj me Greqinë, Greqia është vend anëtar i BE dhe që ka një veto sa i përket të ardhmes europiane të Shqipërisë. Përse duhet të rrezikojë shqipëria të ardhmen e saj në procesin e integrimit për shkak të një kauze që duket ende e largët në zgjidhjen e saj?

Shpëtim Idrizi: Çështja çame është çështje drejtësie dhe jo monedhë shkëmbimi. Realisht shtetet, komunitetet dhe ne besojmë shumë tek demokracia bazohen mbi institucionet e demokracisë. Ne besojmë që Greqia është vend që respekton standardet e drejtësisë dhe demokracisë. Nuk varet nga Greqia. Nuk e bllokon për shkak të çështjes çame sepse do të pranonte ekzistencën dhe zgjidhjen e saj. Kjo është arsyeja që Greqia e zhvendosi tek 15 shtëpi në Himarë vëmendjen dhe jo tek një zonë ku jeton minoriteti i saj.

Marrë me shkurtime nga Top Story

Top Channel