Presidenca Trump e trazuar ende pa nisur

16/01/2017 00:00

Donald Trump është katër ditë larg marrjes së presidencës pas një prej tranzicioneve më të trazuara në historinë moderne, diçka që ka përgatitur skenën për një periudhë të luhatshme ndryshimesh dramatike dhe rezultatesh të paparashikueshme.

Trump do të marrë detyrën me mbështetje popullore shumë më të ulët se paraardhësit e tij të fundit, pasi shumë amerikanë kanë dyshime për aftësinë e tij për të kryer punën. Megjithatë, duhet theksuar se po të njëjtat sondazhe e jepnin Trump humbës në zgjedhje.

Fakt është se Trump është në luftë me agjecitë e Inteligjencës, ka një raport të trazuar me shtypin, po përballet me akuzat se është më i afërt se ç’duhet me Rusinë dhe gjithashtu po injoron standardet etike të një presidenti.

Kina ka kërcënuar me luftë nëse Trump ndryshon politikën e SHBA ndaj Tajvanit, ndërsa Meksika kërcënoi me raprezalje nëse Trump vendos taksë kufitare. Për çdo president tjetër, një grumbull i tillë kontradiktash do të sugjeronin një katastrofë të shpejtë politike për shtëpinë e re të bardhë. Por Trump doli jashtë kornizave që në fushatë dhe ka kaluar probleme e skandale që do të kishin mposhtur çdo politikan normal.

Ai duket i vendosur të shkundë traditat që janë krijuar rreth presidencës për dy shekuj dhe nuk ka kohë për ata që thonë se i mungon sjellja presidenciale. Analistët thonë se shumë nga stuhitë politike me të cilat përballet janë nxitur nga vetë ai. Kaosi dhe përçarjet u përdorën nga Trump dhe e ndihmuar të ndajë republikanët e të fitojë presidencën.

Duket se ai nuk synon të ndryshojë strategji në shtëpinë e bardhë dhe kjo sjelle pyetjen 1 milion dollarëshe: a do të funksionojnë këto taktika dhe i ulur në dhomën ovale? Koha do të tregojë nëse Trump do të ketë sukses si lider. Por ndërsa ai luan me rregulla të tjera, historia nuk do ta bëjë këtë, pasi elementët e suksesit janë po të njëjtët.

Ai mund të rishpikë stilin presidencial, por do të testohet nga të njëjta parime si të tjerë para tij, pikërisht opinioni publik, ligjet e miratuara, besimi në vend dhe botë dhe një ekonomi e fortë.

Top Channel