F1, Bottas zyrtarizohet te Mercedes

16/01/2017 00:00

Mozaiku i plotësimit të vendeve  lëvizëse dhe atyre vakante në Formula 1 është plotësuar me zyrtarizimin  e Valtteri Bottas në njëvendëshen e Mercedes.

Pas zyrtarizimit të Wehrlein te Sauber, erdhi edhe konfirmimi i asaj që e dinin të gjithë, por për një detaj apo tjetër në kontratë nuk ishte zyrtarizuar në botën spektakolare të garave me makina.

Do të jetë pikërisht Bottas ai që do të zëvendësojë Rosberg te Mercedes, ndërsa Felipe Massa mbetet te Williams në vend të finlandezit që kaloi te kampionët në fuqi. Kështu skuadra gjermane vendos një tjetër pilot ambicioz në krah të Hamilton, duke premtuar sërish shkëndija për sezonin e ri, edhe pse ndoshta jo të njëjtës frekuencë me Nico-n.

27-vjeçari finlandez në fjalët e para si pilot i Mercedes, u tregua i gatshëm të bëjë skuadër dhe jo lojë individuale.

“Jam i bindur që me Hamilton do të kem një raport të mirë dhe do të jemi një ekip i vërtetë. Për mua është vërtet një moment emocionues dhe do të duhet kohë të kuptoj që po ndodh vërtet. Do të garoj në një ekip me vite histori dhe falenderoj Mercedes që besoi në aftësitë e mia”, tha Valtteri Bottas.

Top Channel