Pesë kushtet e PD për zgjedhjet e qershorit

16/01/2017 00:00

Ashtu siç ishte paralajmëruar, opozita parlamentare ka përcaktuar si çështje të saj parësore në seancën e parë për 2017, çështjen e zgjedhjeve. Partia Demokratike parashtroi me anë të kreut të Grupit Parlamentar, Edi Paloka pesë kushtet e saj për zgjedhjet e ardhshme.

Kushtet janë pjesë e një memorandumi, që Paloka tha se është nënshkruar nga 20 parti parlamentare dhe jo parlamentare.

Së pari, opozita kërkon realizimin e identifikimit biometrik të zgjedhësve, votimin elektronik dhe numërimin elektronik të votave përmes një sistemi në shkallë vendi.

Së dyti, demokratët kërkojnë dekriminalizimin përmes zbatimit të ligjit për dekriminalizimin dhe largimin e bandave dhe elementëve kriminalë nga fushata zgjedhore dhe qendrat e votimit ditën e zgjedhjeve.

Së treti, kërkohet ulja e kostos së fushatës përmes reduktimit drastik të shpenzimeve, transparencë për burimet financiare si dhe të forcohen penalitetet përfshirë cilësimin e shit-blerjes së votës si krim i rëndë.

Së katërti, të ndalohet përdorimi i burimeve njerëzore të administratës në fushatë dhe struktura partiake, po ashtu edhe materialet e administratës.

Së pesti, akses i drejtë në media dhe mbulim mediatik dhe normim i hapësirës publicitare në fushatën zgjedhore.

“Nuk mund të ketë çështje më thelbësore për ne sesa garantimi i votës së lirë dhe rikthimi i besimit të qytetarëve se vota e tyre do të vendosë për të ardhmen. T’u rikthehet besimi se vota e tyre do të shkojë atje ku ata duan dhe do të numërohet drejtë. Mbi 20 parti kanë nënshkruar sot një memorandum”, tha Paloka.

Top Channel