Incidenti me trenin, Hahn: Kosova e Serbia të shohin përpara

16/01/2017 00:00

Bashkimi Europian ka nxitur gjatë së hënës Serbinë dhe Kosovën të mos rrezikojnë arritjet e dialogut të Brukselit dhe të shohin përpara, pas një lufte fjalësh për shkak të trenit serb me parulla nacionaliste që tentoi të hynte në Mitrovicë, por që do të pengohej nga autoritetet kosovare gjatë fundjavës.

Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn tha se Kosova dhe Serbia duhet të shohin përpara e jo të kthejnë kokën pas duke rrezikuar atë që është arritur me ndërmjetësimin e Brukselit.

Deklarata e Hahn, i cili do të merrte pjesë në takimin e Brukselit të ministrave të Jashtëm të BE-së për të diskutuar mbi Sirinë, Libanin dhe procesin e paqes në Lindjen e Mesme, vjen pas tensioneve të shkaktuara kur Serbia vendosi të rihapte një linjë hekurudhore me destinacion Kosovën, të mbyllur 18 vite më parë nga bombardimet e NATO-s.

Që prej shpalljes së pavarësisë nga Serbia në vitin 2008, proces që Beogradi nuk e njeh, tensionet mes dy shteteve kanë mbetur të larta, sidomos kur bëhet fjalë për pakicën serbe në veri të Mitrovicës. Treni mbante ngjyrat e flamurit serb dhe parulla “Kosova është Serbi” në 21 gjuhë të huaja. Ai u ndal më pas nga autoritetet serbe, vetëm pak kilometra nga kufiri me Kosovën, në Rashkë, për t’u rikthyer në Beograd.

Reagimi i parë erdhi nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili përmes rrjeteve sociale tha se ai tren ishte një “provokim i rrezikshëm”. “Kosova respekton lirinë e lëvizjes, por hyrja e atij treni në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës nuk do të lejohej dhe nuk mund të pranohet”, është shprehur ai.

Top Channel