Tërheqja e denoncimit, propozohen ndryshime në Kodin Penal

16/01/2017 00:00

Rreth 30 për qind e femrave që denoncojnë dhunën e partnerëve tërhiqen gjatë marrjes së urdhërit të mbrojtjes në gjykatë, apo gjatë hetimeve nga prokuroria.

Por ndërsa shifrat konsiderohen shqetësuese, pasi në mjaft raste disa gra që kanë hequr dorë nga denoncimi i dhunës janë vrarë, Ministria e Drejtësisë propozon ndryshime lehtësuese për dhunuesit në Kodin Penal.

Propozimi i është shpërndarë grupeve të interesit, ku parashikohet heqja dorë nga ankimi mbi rrahjen dhe çdo vepër tjetër dhune në familje kur denoncohen për herë të parë.

Por në këtë rast ndjekja penale pushohet ndaj bashkëshortit apo bashkjetuesit dhunues, çka do të thotë se ai shpëton nga dënimi që sikurse parashikon ligji, është deri dy vjet burg.

Nëse veprimi përsëritet, thuhet në propozimin që i shtohet nenit 130 A të Kodit Penal, atëherë ndjekja penale nuk pushon dhe dhunuesi dënohet deri në 3 vjet burg.

Aktualisht, sipas Kodit Penal, për çdo kënd që denoncon dhunën në familje ka qëndrim të ashpër ndaj dhunuesve, sepse edhe në rast se pala e dëmtuar tërhiqet apo pajtohet, çështja penale nuk pushohet.

Madje, siç raportojnë burgjet, ka patur raste kur bashkëshorti dhunues, në pritje të gjykimit, është pajtuar dhe ka kryer edhe takime speciale në burg me parnteren që ka denoncuar dhunën. Ndërkohë që në përfundim, gjykata e ka shpallur dhunuesin fajtor edhe pse denoncimi ndaj tij është tërhequr.

Top Channel