F1, Wehrlein kalon te Sauber. Pritet zyrtarizimi i Bottas te Mercedesi

16/01/2017 00:00

Pascal Wehrlein do të garojë me Sauberin në Botërorin e Formulës 1 të këtij viti, lajm që u zyrtarizua nga vet skuadra zvicerane.

Wehrlein ka qenë në rolin e pilotit rezervë te Mercedesi, ndërsa vitin e kaluar ishte pjesë e Manor. Në vitin 2015, piloti 22-vjeçar mori pjesë në kampionatin “DTM” duke fituar edhe titullin kampion.

“Për mua, kalimi në një skuadër të re është një sfidë tjetër”, tha Wehrlein në një intervistë për faqen zyrtare të Sauberit. “Mezi po pres të nis këtë aventurë. Objektivi ynë është që të hyjmë rregullisht në zonën e pikëve. Dua të falënderoj drejtuesit e Sauberit për besimin e shprehur ndaj meje dhe për mundësinë që më dhanë. Po kështu dua të falënderoj edhe stafin e Mercedesit për mbështetjen”.

Sauber e mbylli Botërorin  e Formulës 1 të vitit të kaluar në vendin e 10, një pozicion më sipër se Manor, me këtë të fundit që është nën administrim dhe në pritje të një blerësi të ri.

Kalimi i Wehrlein te Sauberi i hap rrugën Valtteri Bottas për të shkuar te Mercedesi, ku pritet të zëvendësojë Nico Rosberg. Tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i kësaj lëvizjeje. Kjo do të thotë se Felipe Massa ka shumë të ngjarë që t’u kthehet garave me Williamsin, pavarësisht deklaratës për tërheqjen përfundimtare të tij nga Formula 1.

Top Channel