F1, McLaren prezanton makinën e re më 24 shkurt

16/01/2017 00:00

McLaren do të bëjë prezantimin e makinës së re më 24 shkurt. Skuderia britanike e konfirmoi lajmin nëpërmjet një komunikimi në rrjetin social “Twitter”, duke u bërë e pesta skuadër që zbulon datën e prezantimit të saj.

Te Mclaren është rritur ndjeshëm besimi se, sezoni i ardhshëm i “Formula 1” do të jetë më i mirë për të dhe se Honda do të jetë në gjendje të krijojë një motor, që do të reduktojë diferencat me Mercedesin.

Ndërkohë janë mësuar edhe emrat e pilotëve që do të garojnë për McLarenin. Fernando Alonso nuk do të ketë më Jenson Button si shok skuadre, pasi britaniku u tërhoq, duke ia lënë vendin të riut Vandoorne. Belgu e bëri debutimin e tij në Botërorin e Formulës 1 në Çmimin e Madh të Bahreinit, duke arritur të hyjë në zonën e pikëve.

Skuadrat e tjera që kanë bërë të ditur datën e prezantimit të makinave të tyre janë Renault më 21 shkurt, Force India më 22 shkurt, Mercedesi më 23 shkurt dhe Ferrari më 24 shkurt.

Top Channel