Meksikë, të shtënat në lokalin e natës vrasin 4 persona

16/01/2017 00:00

Një person i armatosur ka hapur zjarr, duke vrarë 4 persona në një klub ku organizohej një festival muzikor në resortin turistik meksikan të Playa del Carmen. Edhe 12 persona të tjerë mbetën të plagosur nga ky sulm i papritur.

Pjesëmarrësit në natën përmbyllëse të festivalit “BPM” në klubin “Blue Parrot” thanë se kishin dëgjuar të shtëna dhe panë trupat të binin në tokë. Ndërkohë raportime të tjera flasin për disa të shtëna të mëtejshme në sheshin “The Jungle”, ku organizohej një tjetër shfaqje “BPM”, gjithsesi të pakonfirmuara.

Zyrtarët e festivalit publikuan një deklaratë në rrjetin social “Facebook”, ku thanë se një “agresor i vetëm” jashtë klubit të natës “Blue Parrot” kishte vrarë 4 persona. Tre prej tyre ishin pjesëtarë të stafit të sigurisë së festivalit, “jetët e të cilëve humbën në përpjekje për të mbrojtur pjesëmarrësit brenda klubit”. Deri më tani nuk ka informacione për viktimën e katërt.

Shefi i policisë lokale, Rodolfo del Angel e çoi numrin e viktimave në 5, ndërkohë që të plagosurit sipas tij janë 15. Sipas tij, të shtënat erdhën pas një “mosmarrëveshjeje mes disa individëve brenda klubit të natës”.

Kryebashkiaku i qytetit turistik tha se 3 prej të vrarëve ishin të huaj, por nuk dha informacione mbi kombësinë e tyre.

Festivali, i cili mbahej për të 10-in vit radhazi, është popullor mes turistëve të huaj, veçanërisht atyre nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe.

Shfaqja zgjaste 10 ditë dhe në të merrnin pjesë mbi 375 muzikantë, DJ dhe artistë të tjerë nga e gjithë bota. Sidney Charles, i cili po punonte si DJ në një nga klubet e natës, ka konfirmuar për BBC të shtënat. Ndërsa një kolegu i tij ka shkruar në Twitter për 4-5 të vdekur dhe shumë vetë të plagosur. Ndërsa pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë njerëz që largohen me vrap nga klubi “Blue Parrot”.

Top Channel