Australia, kritika Japonisë për gjuetinë e balenave

16/01/2017 00:00

Australia është thellësisht e zhgënjyer nga vazhdimi i gjuetisë së balenave në oqeanin jugor apo Antarktik.

Japonezët nuk kanë hequr dorë nga tradita e hershme e tyre, edhe pas bisedimeve të udhëheqësve të të dy vendeve mbi këtë çështje dhe publikimit të pamjeve të një balene të vrarë nga aktivistët e mbrojtjes së gjigantëve të detit.

Kryeministri australian, Malcolm Turnbull ia përcolli këtë shqetësim homologut japonez, Shinzo Abe, gjatë takimit të tyre të shtunën, por duket pa shumë efekt.

“Qeveria australiane është shumë e zhgënjyer nga kthimi i Japonisë në ujërat e oqeanit jugor për të ndërmarrë atë që e quajnë ‘gjueti shkencore e balenave’. Nuk besoj se është e nevojshme që balenat të vriten për t’i studiuar”, tha Josh Frydenberg, ministër i Mjedisit në Australi.

Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në vitin 2014 t’i jepte të drejtë Australisë në padinë e ngritur ndaj Tokios për fundin e kësaj gjuetie në ujërat e oqeanit në fjalë, çfarë i detyroi japonezët ta ndalonin vrasjen e gjitarëve të mëdhenj detarë për një sezon.

Megjithatë ata e rinisën sërish në 2015-n. Pamjet e balenës së vrarë të marra nga aktivistët ishin të parat të bëra publike që prej vendimit gjyqësor të përpara dy viteve. Japonia këmbëngul se shumica e balenave nuk hyn te speciet e rrezikuara dhe se konsumi i mishit të tyre është pjesë e kulturës gastronomike të vendit.

Top Channel