Veliaj: Ngrohja në institucionet arsimore është situatë normale

16/01/2017 00:00

Kreu i bashkisë së Tiranës ka siguruar se situata e ngrohjes në institucionet arsimore është normale. Këtë të hënë nisi dhe viti i ri shkollor, i cili u shty për shkak të ngricave dhe epidemisë së gripit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka qënë sot në shkollën e rikonstruktuar 9-vjeçare “4 Dëshmorët””, një investim për 482 nxënës.

“Që në orën 5:00 të mëngjesit janë hapur të gjitha kaldajat në të gjithë qytetin e Bashkinë e Tiranës, për 200 institucione shtetërore. Nuk kemi pasur asnjë problem për kopshtet dhe çerdhet, kurse në shumicën e 200 shkollave situata është totalisht e normalizuar nga ndezja e kaldajave që herët në mëngjes për të përballuar këtë stinë të ftohtë. Sigurisht, kemi ende disa problematika në disa nga shkollat rurale, por për të gjithë ata që ankohen për çështjet e ftohjes ose për çështje të sistemeve të ngrohjes nëpër shkolla, i kujtoj se deri para 1 viti e kishin Tiranën në dorë, na lanë vetëm 2 shkolla me ngrohje nga 200 gjithsej. Sot jemi në një situatë kur themi se kemi vetëm 2 pa ngrohje”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që për çdo problematikë të njoftojnë në numrin e vendosur në dispozicion nga Bashkia.

“Duke qenë se proceset e ngrohjes janë teknike dhe kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme vëmendje për çdo defekt nga Bashkia e Tiranës, dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të lajmërojnë në numrin e bashkisë 0 800 0 888. Është e vetmja mënyrë se si në mënyrë të vazhdueshme mund të kemi vëmendje në dhjetëra apo qindra institucione që menaxhon bashkia”, tha ai.

Pas kalimit të situatës emergjente, si pasojë e motit të acartë që kaloi Tirana, kreu i bashkisë falenderoi drejtuesit e shkollave, mësuesit dhe prindërit e nxënësve për solidaritetin e treguar për të ndihmuar njerëzit në nevojë.

Top Channel