Incidenti me trenin, mediet gjermane: Vuçiç, presion për BE-në

16/01/2017 00:00

U përdor gjuhë e fortë këtë fundjavë mes Kosovës e Serbisë. Treni i kthyer nga Beogradi në justifikim përplasjesh solli erë lufte, me deklarata si ato të presidentit serb Nikoliç për angazhimin e ushtrisë në rast nevoje, e KFOR-it nga ana tjetër që thotë se palët duhet të ndjekin rrugën e dialogut, por ai mbetet në gatishmëri për të ndërhyrë nëse situata përshkallëzohet.

Në Gjermani nuk besojnë se do të ketë përplasje të dhunshme mes dy vendeve. Megjithatë, incidenti për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” tregon sesa e brishtë është paqja dhe stabiliteti në Ballkan.

Grindja për një tren mes Beogradit dhe pjesës veriore të Kosovës është – sipas saj, – simptomë e një krize.

I çuditshëm i duket “Süddeutsche Zeitung” fakti që Serbia nis të dërgojë një tren me parulla provokuese në Kosovë, por e ndalon pak para kufirit. Vuçiç tha në Beograd se, “ai donte të pengonte trazira të dhunshme”. Ai akuzoi Prishtinën, se ka dërguar forca policore në kufi, “për të provokuar një konflikt më të gjerë”.

Por ndërkohë, siç deklaron e ngarkuara për çështjet e dialogut, Edita Tahiri, është Serbia ajo që po kërkon të destabilizojë Kosovën. Nuk ka asnjë dyshim për “Tageszeitung” se ky ishte një provokim i paramenduar. Njeriu i fortë i Serbisë, – shkruan ajo e cituar nga “Deutsche Welle”, – kërkon të tregojë se di të veprojë edhe ndryshe.

I vetmi shpjegim për provokimin serb me trenin është që Vuçiç do ta vërë nën presion BE-në, për t’iu përgjigjur kërkesave serbe. “Por kjo është një lojë me zjarrin me pakicën serbe në Kosovë dhe me pakicën shqiptare në jug të Serbisë”.

Top Channel