Rinis procesi mësimor në të gjithë Shqipërinë

16/01/2017 00:00

Ka rinisur procesi mësimor në të gjitha shkollat e vendit, pas një ndërprerjeje për të parandaluar përhapjen e virusit të gripit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e nisi ditën e saj të punës në shkollën “Adem Haxhia”, në Postribë të Shkodrës.

“Mbështetja për mësuesit ka qenë e do të jetë prioriteti i punës sonë të përditshme. Mësuesi meriton mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, pasi në punën e tyre është mbështetur suksesi i arsimit. Ne do prekim nga afër në 12 qarqet e vendit problematikat e arsimit”, deklaroi Nikolla, e cila shtoi se “zëvendësimi i orëve të humbura nis nga muaji mars”.

Më tej, Nikolla foli edhe për sistemin e pranimeve nëpër universitete.

“Sistemi i pranimeve në universitet do të përsoset, MAS do të japë të gjithë asistencën e saj që maturantët të jenë të qartë për kriteret e pranimit në universitet. Këto ditë, universitetet finalizojnë kriteret e pranimit dhe do të kenë ditë të dedikuara për kriteret e pranimit, çdo maturant do të ketë një faqe komunikimi me universitetet”, tha Nikolla.

Top Channel