Pabarazia thellohet edhe më tej

16/01/2017 00:00

Tetë njerëzit më të kamur të globit kanë në duart e tyre një pasuri të barazvlefshme me atë të gjysmës së njerëzve më të varfër të planetit. Raporti i publikuar nga “Oxfam”, vetëm pak orë përpara se elita e biznesit dhe udhëheqësit botërorë të mblidhen për Forumin Ekonomik të 2017-s në Davos të Zvicrës, thekson se hendeku mes të pasurve dhe të varfërve është shumë më i thellë nga sa ishte menduar deri tani.

“Ne kemi një sistem ekonomik të deformuar, i cili duket i krijuar në mënyrë të tillë që të përfitojë vetëm 1% dhe jo 99 për qind e njerëzve. Për këtë arsye krijohet edhe ky numër miliarderësh, të cilët kanë të njëjtën pasuri me atë të gjysmës së botës”, tha Mattheë Spencer, “Oxfam”.

Raporti me titull “Një ekonomi për 99%” tregon në mënyrë të detajuar sesi mbeten pas më të vobektit në ekonominë globale. Pabarazia ekonomike, sipas Shoqatës britanike të Bamirësisë, së bashku me ndjesinë e përjashtimit nga përfitimet e globalizimit kanë kontribuar në rebelimet politike të vitit 2016, ku përfshihet vendimi i Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian dhe triumfi i Donald Trumpit në presidencialet e Amerikës.

“Mendoj se ka prova të forta, që këto krisje në sistemin tonë politik i detyrohen pjesërisht pabarazisë ekonomike. Njerëzit ndihen gjithmonë e më pak të përfshirë në suksesin e kombit të tyre dhe të shoqërisë, e janë përherë e më të pakënaqur me ‘status quo’-në”, tha Mattheë Spencer.

“Oxfam” u drejtoi një apel udhëheqësve në Davos, që të ndërhyjnë për frenimin e shmangies së taksave, në mënyrë që të krijohet një “ekonomi më njerëzore”.

Top Channel