Trump: Merkel gaboi me emigrantët. Masa të rrepta edhe për europianët në SHBA

16/01/2017 00:00

Me Donald Trumpin president, edhe për europianët do të vështirësohet paksa udhëtimi në Shtetet e Bashkuara. Në intervista dhënë “Sunday Times”-it dhe gjermanes “Bild”, manjati tregon se me t’u vendosur në Shtëpinë e Bardhë, një ndër veprimet e para të tij do të jetë sigurimi i kufijve.

Do të aplikohen kontrolle ekstreme për ata që mbërrijnë nga pjesë të botës të njohura për ekstremizmin islamik, e masa të rrepta parashikohen edhe për europianët.

Trump shënjestroi edhe Angela Merkelin në komentet e veta. Vendimi i saj për të pranuar më shumë se një milion emigrantë, në këndvështrimin e tij ishte një gabim trashanik.

“Kam shumë respekt për Kancelaren, është e jashtëzakonshme si drejtuese, por me lejimin e emigrantëve të paligjshëm në vendin e saj bëri një gabim katastrofik. T’i hapësh dyert gjithë atyre njerëzve, pavarësisht se nga vijnë, pa ditur asgjë për ta, për mua është e gabuar”, tha Trump.

Ndërsa Merkelin e cilësoi më tej si udhëheqësen më të rëndësishme të bllokut, vet BE-në e etiketoi si vegël të Gjermanisë. Çështjen e emigrantëve, ai e lidhi edhe me shkëputjen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Po të mos kishte qenë problemi i tyre, besoj se nuk do të kishte pasur “Brexit”, ishin fjalët e miliarderit.

“Brexiti ishte një lëvizje e mençur e Britanisë. Mendoj se në fund, ai ka për të rezultuar diçka e jashtëzakonshme”, tha Trump.

Ndër prioritetet e tij pas marrjes së Presidencës, Trump rreshtoi arritjen e marrëveshjeve më të drejta tregtare për Shtetet e Bashkuara, ndërsa më herët për “Washington Post” kishte pohuar se është shumë pranë përmbysjes së aktit të kujdesit shëndetësor, të njohur ndryshe si “Obamacare”.

Top Channel