Rinis bora, akset kryesore të gjitha të kalueshme

16/01/2017 00:00

Reshjet e dëborës që kanë nisur këtë të hënë nuk kanë sjellë problem të mëdha në qarkullim, ku akset kryesore janë të kalueshme dhe në pjesë të caktuara kërkojnë përdorimin e zinxhirëve.

Reshje bore ka pasur në qarkun e Kukësit, Shkodrës, Dibrës, Elbasanit dhe Korçës.

Punonjësit e emergjencave, Policia e Shtetit dhe gjithë strukturat e angazhuara për përballimin e situatës, gjenden në terren për t’iu gjendur pranë qytetarëve e mjeteve në vështirësi.

Grupet e specialistët të OSHEE janë duke punuar për riparimin e defekteve në disa zona ku ka munguar energjia elektrike.

Në të gjitha zonat e prekura nga dëbora Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale Shtetërore ka shpërndarë e ndihmave ushqimore dhe materiale. Ditën e sotme do të dërgohen ndihma në fshatrat Theth, Ketë, Çajë dhe Selishtë.

Situata në qarqe paraqitet si më poshtë:

QARKU SHKODËR

Në qarkun e Shkodrës të gjitha akset kombëtare janë të qarkullueshme pa probleme. Përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në disa akse rurale të këtij qarku.

Të qarkullueshme me zixhirë janë akset rrugore Shkodër – Shllak – Temal ,Tamarë – Vermosh, Hadroj – Qafë – Bene ,Fushë Arrëz – Qafë Mali – Fierzë, Fushë Arrëz – Qafë Shllak,  Qafë Çele – Pukë – F.Arrëz, Qafë Qerret – Qelëz- Bardhet – Iballë dhe Shkodër – Bregu Lumit – Theth

Aksi rrugor Shkodër – Theth është i kalueshëm  deri në Qafë Thore

QARKU KUKËS

Të gjitha akset kombëtare në shkallë qarku qarkullohen pa zinxhirë, përjashtuar aksin rrugor Ura e Zapotit-Shishtavec.

Aksi rrugor për në Njësinë Administrative Arrën vazhdon i bllokuar.

Po punohet për hapjen e rrugëve që paraqesin probleme për lidhjen e fshatrave me qendrën administrative.

Në Njësinë administrative Gjinaj ka pasur probleme me furnizimin me energjinë elektrike.

QARKU DIBËR

Në akset rrugore  Qafë Bualli – Peshkopi – Maqellarë – Bllatë, Kuben – Vasie, Ura e Qytezës – Zerqan dhe  Ura e Çerenecit – Steblevë qarkullimi i mjeteve kryhet pjesërisht me zinxhirë.

Në aksin Qafë Bualli – Krastë, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

Aksi rrugor rural Peshkopi-Lurë vazhdon të jetë i bllokuar, por kalimi i mjeteve kryhet nga aksi rrugor Kurbnesh- Lurë.

Për hapjen e akseve rrugore problematike po punohet me forca dhe mjete.

QARKU KORÇË

Në qarkun e Korçës të gjitha akset kombëtare janë të qarkullueshme. Aksi rrugor Korçë – Boboshticë  – Dardhë  është i kalueshëm me zinxhirë ndërsa aksi Korçë-Ersekë është i kalueshëm me zinxhirë në pjesë të caktuara.

Probleme me furnizimin me energji elektrike ka pasur në fshatin Mollas të bashkisë Kolonjë.

Në qarqet e tjera nuk raportohet për probleme

Top Channel