Rreth Tiranës me biçikletë; Amatorë e profesionistë përshkruan 51 km

15/01/2017 00:00

Për të dytin vit radhazi, shoqata e çiklistëve, Bashkia e Tiranës dhe në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Çiklizmit organizojnë këtë aktivitet të quajtur “Shtegu i Gjelbër”, një garë e kategorisë “Cross Country” e cila fillon karakterizohet nga një terren malor shumë i vështirë, por relievi nuk është vështirësia e vetme, për pjesëmarrësit të cilët janë mes amatorëve, profesionistëve, të rinjve dhe të një moshe mbi 40-vjeç.

“Gara nuk është vetëm pedalim, kërkon forcë, por kërkon edhe navigim. Këto janë gara shumë interesante janë nga të vetmet që bëhen në Shqipëri, nuk dimë të ketë të tjera. Të lexosh garën nëpërmjet GPS-it”, shprehet  Besfort Kryeziu, garues  në “Shtegu Gjelbër 2017”.

Trajektorja e zgjedhur që zbulohej në kohë reale nga garuesit nëpërmjet GPS dhe pajisjeve të tjera elektronike, ishte më e thjeshtë për profesionistët të cilët mes 60 pjesëmarrësve filluan të krijonin shkëputjen.

51 km ishin vërtet shumë, megjithatë, çiklisti profesionist malazez Demir Muliç arriti të mbërrij i pari në Finish pas mbi 3 orë garim në një ritëm shumë të lartë.

Ishte shumë e vështirë si garë për shkak të terrenit, të cilin e kisha të panjohur. Dua të falenderoj organizatorët. U argëtova shumë sepse unë jam një çiklist “Cross Country” dhe kjo është gara ime” u shpreh Demir Muliç, fituesi i garës “Shtegu i Gjelbër 2017”.
Me më pak se 2 minuta mbërriti edhe fituesi i një viti më parë, Ylber Sefa, gjithashtu çiklist profesionist i kësaj kategorie gare.

“Ishte një garë e bukur, sigurisht edhe e vështirë. Kishte një farë problemi, sepse GPS-i në shumë raste nga tradhtoi dhe arritëm që të humbin rrugën. Kjo ishte edhe arsyeja pse dola i dyti”, tha Ylber Sefa, vendi i dytë në garën “Shtegu i Gjelbër 2017”.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka përfituar nga rasti për t’i bërë thirrje të gjithë qytetarëve të jenë sa më shumë të lidhur me sportin, për një jetë më të shëndetshme.

“Besoj se me pak kreativitet na kanë dhënë një alternativë shumë më të shëndoshë. Ne vërtetë patë një javë shumë të ftohtë, në fund të ditës ky mbetet qyteti i 300 ditëve diell. Tani që është janari dhe të gjithë bëjnë rezoluta se çfarë do të bëjnë për vitin e ri, uroj që të gjithë të bëjnë një rezolutë për një jetë më të shëndetshme, të ecin më shumë të vrapojnë më shumë, të përdorin më shumë biçikletën”, tha kreu i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Top Channel