Filipine, narkomanët “rrugë alternative” për t’i shpëtuar vrasjes

15/01/2017 00:00

Fati i mijëra trafikantëve të lëndëve narkotike dhe narkomanëve të vrarë në Filipine që prej ardhjes në pushtet të presidentit Rodrigo Duterte, ka shtyrë një pjesë të të varurve nga droga te ndjekin programe rehabilitimi.

Pjesë e këtyre programeve është krijimi i figurinave me karakter fetar dhe seanca të akupunktures.

Famullia San Isidro Labrador po i ndihmon përdoruesit e vetë-deklaruar të drogës të fitojnë jetesën në mënyrë të ndershme. Për çdo figurinë të shitur, ata marrin një komision që shkon nga 1,5 deri në 3 dollarë. Një 59-vjeçar, ish-përdorues droge, thotë se puna e tij me Kishën e ka afruar me Zotin dhe e ka nxitur të gjejë një qëllim në jetë.

“Edhe nëse jeta ime këtu në tokë do të ndërpritej, unë e ndiej afrimin me Zotin. Vetëm shikojini pak punët tona, këtë u them gjithmonë narkomanëve të rinj, jeta është një dhuratë. Përdoreni mirë sepse jeni ende të rinj dhe mund të bëni shumë gjera, ndryshe nga unë që një ditë mund të gjendem i vdekur në rrugë”, thotë ai.

Leksionet e akupunkturës nga ana tjetër janë iniciativë e grupit “Rise Up”, një organizatë fetare jo fitimprurëse që kundërshton vrasjet pa gjyq.

“Akupunktura do t’i japë balancë trupave të tyre, sidomos ndaj asaj që ne quajmë Yin Yang. Kjo i ndihmon në të njëjtën kohë njerëzit të shërohen nga sëmundjet”, shprehet Nardi Sabino, kryetar i grupit “Rise Up”.

Lufta ekstreme e Dutertes ndaj drogës ka shtyrë një numër të madh përdoruesish të dorëzohen në polici, e të paktën 70.000 prej tyre kanë pasur nevojë për rehabilitim.

Top Channel