Thaçi: Kërcënimet për luftë, të papranueshme

15/01/2017 00:00

Qindra serbë protestuan sot në Mitrovicën veriore për trenin e  nisur nga Beogradi që u ndalua të hynte në Kosovë. Atyre iu drejtua edhe zv/kryeministri dhe ministrat serbë të qeverisë së Prishtinës. Presidenti Nikoliç akuzon administratën e Obamës dhe thotë se shqiptarët duan luftë. Ndërkohë që Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në reagimin e tij shprehet se qëllimet e Serbisë sot janë të njëjta me ato të Milosheviçit

Presidenti i Kosovës,  Hashim Thaçi, tha se Serbia me veprimet e fundit ka treguar se ka qëllime të njëjta me ato të regjimit të Sllobodan Millosheviç gjatë viteve ‘90.

Duke reaguar ndaj komenteve të presidentit serb Tomislav Nikoliç se është i gatshëm të dërgojë ushtrinë në Kosovë, Thaçi deklaroi se Kosova është e interesuar për dialog dhe normalizim të marrëdhënieve, ndërsa i cilësoi të papranueshme kërcënimet për luftë.

Përmes një postimi në “Facebook”, presidenti Thaçi u shpreh i kënaqur për shmangien e tensionimit të situatës politike dhe të sigurisë në vend e rajon, duke ndaluar hyrjen ilegale të trenit propagandistik të Serbisë në territorin e Kosovës.

Thaçi shkruan se Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave dhe këtë e ka treguar me hapjen e vendkalime kufitare të reja me fqinjët, por s’mund të tolerojë skenarin e vjetër serb, sipas të cilët fatkeqësisht, Beogradi ka ndërmarrë një fushatë provokimesh të vazhdueshme.

“Prandaj, organet e rendit dhe sigurisë morën masa që të pengohet cënimi i integritetit dhe sovranitet të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë-vijon postimi i Thaçit, i cili shpreson që autoritetet e Serbisë të kenë kuptuar se veprimi i tyre ishte i jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me frymën e dialogut dhe bashkëpunimit që po promovohet në rajon.

Top Channel