SHBA, cirku legjendar mbyllet pas 146 vitesh

15/01/2017 00:00

Pas 146 vitesh në këtë biznes, “Shfaqja më madhështore në botë”, siç është emri i cirkut më të famshëm në SHBA e mbase edhe në botë, që dikur drejtohej nga Vëllezërit Ringling dhe Barnum Bailey, do të mbyllet. Pronarët e tij fajësojnë uljen e shitjeve të biletave dhe rritjen e kostove.

Mbyllja e cirkut legjendar ka gëzuar aktivistët që mbrojnë kafshët që prej vitesh protestonin kundër numrave me kafshë që kryente ky cirk udhëtues. Cirku ishte mjaft i njohur për emrin dhe njëkohësisht sloganin e tij që vite më parë frymëzoi një film mjaft të vlerësuar.

Në vitin 1952, trupa e cirkut bashkë me kafshët e tij, morën pjesë në filmin “Shfaqja më madhështore në botë”, i cili fitoi dy çmime Oskar. Zyrtarë të Feld Entertainment, familja që drejton cirkun që prej viteve 1960, thanë se pas shumë shqyrtimeve dhe debati, kishin vendosur që cirku të kryej shfaqjet e fundit në muajin Maj.

Sipas kompanisë, vendimi për të tërhequr elefantët nga shfaqjet vitin e shkuar mund të ketë ndikuar në shitjen e biletave. Grupi për mbrojtjen e kafshëve PETA, përmes një komunikate përshëndeti përfundimin e shfaqjes më të trishtë në botë për kafshët e egra dhe i kërkoi cirqeve të tjera që të bëjnë të njëjtën gjë.

Top Channel