7 mijë lindje tek “Mbretëresha Geraldinë” në 2016-ën

15/01/2017 00:00

Numri i lindjeve në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” është rritur. Gjithsej, vetëm për vitin 2016 numërohen 7000 lindje, 600 lindje më shumë se në vitin 2015. Lidhur me numrin e lindjeve me operacion, ai mbetet i njëjtë me 2015-n, 36 deri në 37%. Por, ajo që vërehet është se është ulur vdekshmëria foshnjore.

“Vdekshmërinë foshnjore për vitin 2015 e kemi pasur 35 fëmijë, për vitin 2016 e kemi pasur 34 fëmijë. Ky është një institucion që nuk përfshin vetëm lindjet brenda Tiranës, por edhe një pjesë të mirë të lindjeve nga e gjithë Shqipëria. Vijnë nga rrethe, ku kanë edhe lindje prematurë. Në rrethe nuk mbahen këto lindje prematurë, por lindin tek ne. Janë rreth 400-500 pacientet që kanë ardhur nga rrethet”, shprehet Blenard Nonaj, drejtor i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”.

I njëjti fenomen po ndodh edhe me abortet. Numri i tyre është ulur.

Po të marrim abortet me ndërprerje të vullnetshme të barrës, atëherë kemi një ulje në institucionin tonë, për shkak të përdorimit të pilulave dhe aborteve në spitalet privat. Kemi 1300 aborte, 550 janë aborte të vullnetshme të barrës dhe 450 janë aborte spontane”, sqaron Blenard Nonaj.

Ndërkohë, në rang vendi rritja natyrale e popullsisë sipas Institutit të statistikave ka rënë. Tremujori i tretë i 2016-s ka një rënie të rritjes së popullsisë me 8,8%. Lindjet në vetvete kanë rënë me 12,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Top Channel