Rikthehet eksporti i energjisë

15/01/2017 00:00

Shqipëria u rikthye sërish një vend eksportues neto i energjisë elektrike, teksa për herë të parë pas 6 vjetësh prodhimi vendas ka tejkaluar nevojat për konsum. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare deklaroi se vitin e kaluar eksportoi rreth 700 milionë kilovat ore energji në vendet e tjera, pasi bilanci energjetik i vendit është përmirësuar ndjeshëm falë rritjes së prodhimit të brendshëm, por edhe uljes së vjedhjeve të energjisë.

Të dhënat zyrtare nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare tregojnë se vitin e kaluar, shqipëria prodhoi 7.3 miliardë kilovat orë energji elektrike.  Ky është niveli më i lartë i prodhimit që nga viti 2010, i cili jo vetëm ka përballuar plotësisht konsumin vendas, por edhe i ka lejuar korporatës të eksportojë 700 milionë kilovat orë energji.
 
Rikthimi i vendit në bilanc pozitiv energjetik, përveç kushteve të favorshme hidrike  është rezultat edhe i dy faktorëve të tjerë; rritjes së prodhimit nga hidrocentralet private dhe uljes së humbjeve të energjisë. 
Vitin e kaluar, HEC-et private prodhuan sasinë rekord prej 2.2 miliardë kilovat orë energji elektrike duke dhënë 30 për qind të prodhimit total vendas.

Por veç rritjes së prodhimit, bilanci energjetik ka përfituar edhe nga përmirësimi i administrimit në operatorin e shpërndarjes. Sipas shifrave, vetëm nga ulja e humbjeve, Shqipëria kursen 1.1 miliardë kilovat orë energji në vit krahasuar me tre vjet më parë.

Ky rezultat, përveçse ka përmirësuar treguesit financiar të OSHEE, ndikon drejtpërdrejtë edhe bilancin energjetik të vendit, duke e rikthyer Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë elektrike.

Top Channel