Mediu me emigrantët në Greqi: Votoni të largojmë Ramën

15/01/2017 00:00

Në Athinë, në një takim me emigrantët shqiptarë në Greqi, Fatmir Mediu, kreu i partisë republikane akuzoi qeverinë shqiptare se me pazaret e saj te drogës dhe me injorancë në qeverisje e la vendin jashtë BE-së.

“E vërteta është se të ardhmen tonë s’mund ta lëmë peng të asnjë politikani, të asnjë qeverie, për më tepër të Ramës dhe Metës, të mazhorancës pazare që ka marrë peng Shqipërinë. Që shan pa fund, fyen pafund. Që ka sjellë pasigurinë, krimin, drogën, kanabisin, një injorancë në qeverisje që bën ato veprime, korrupsionin e lartë, duke na lënë jashtë dyerve të Bashkimit Europian”, u shpreh Mediu.
 
Kreu republikan iu kërkoi emigranteve të bëhen pjesë e proceseve politike në Shqipëri dhe të marrin pjesë në zgjedhje për të larguar një qeveri që ai e cilësoi të papërgjegjshme për shqiptarët.
 
“Po çfarë i mungon Shqipërisë për të ecur përpara? Mendoj se i mungon një qeveri e përgjegjshme. Qeverisja e sotme në Shqipëri, për fatin e keq, në gjykimin tim, nuk është një qeveri që i shërben interesave të shqiptareve dhe Shqipërisë, por përkundrazi ajo po i kthen shqiptarët në viktima të krimit dhe korrupsionit, varfërisë dhe pasigurisë”, tha Mediu.

Top Channel