Bushati viziton Iranin, nuk flitet për muxhahedinët

15/01/2017 00:00

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore në Iran, me ftesë të homologut të tij Mohamad Zarif.

Gjatë qëndrimit atje, ministri Bushati zhvilloi takime me Presidentin Ruhani, homologun e tij Zarif dhe zyrtarë të tjerë. Në takimin me Presidentin Ruhani, u ra dakord për të rritur bashkëpunimin në fusha me interes të përbashkët. Ministri Bushati shprehu vlerësimin për rolin e qeverisë iraniane dhe vetë Presidentit në arritjen e marrëveshjes për programin bërthamor të Iranit me aktorët ndërkombëtarë.

Ndërsa Presidenti Rouhani vlerësoi miqësinë mes dy popujve dhe nënvizoi rëndësinë e shfrytëzimit të potencialeve për të zhvilluar më tej marrëdhëniet. 

Në takimin me ministrin e Jashtëm, palët nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për konsultimet diplomatike. Duke vlerësuar hapat për rigjallërimin e marrëdhënieve dypalëshe, dy ministrat ranë dakord mbi nevojën për të forcuar kuadrin ligjor të bashkëpunimit, në mënyrë të veçantë në fushën e shkëmbimeve tregtare, turizmit dhe kulturës.

Një ndër pikat më të rëndësishme në këtë takim, ka qenë Kosova. Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme parashtroi kërkesën ndaj qeverisë së Iranit për njohjen e Kosovës. Ndërkohë, në këto takime që ministri zhvilloi në Lindjen e Mesme nuk është diskutuar për çështjen e muxhahedinëve, një çështje për të cilën Shqipëria angazhohet prej disa vitesh.

Top Channel