Serbët e Kosovës në protestë

15/01/2017 15:00

Incidenti me trenin me parulla “Kosova është Serbi” ka nxitur edhe serbët e zonës ku ai do të mbërrinte në stacionin e fundit, të dalin në mbrojtje të idesë së Beogradit.

Disa qindra serbë të veriut të Kosovës janë mbledhur në sheshin “Knez Llazar” të kësaj pjese të qytetit të Mitrovicës, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për mosarritjen e trenit nga Beogradi. Ata kanë thënë se janë ndaluar konfliktet e mundshme dhe se ky është një provokim, pasi ka të bëjë me lirinë e lëvizjes. 

Në këtë protestë kanë marrë pjesë zyrtarë të zyrës për Kosovën dhe kryetarë komunash e përfaqësues politikë të serbëve në Kosovë. Sipas protestuesve, një përshkallëzim i rëndë i situatës u arrit të shmangej të shtunën falë ndërhyrjes së lavdërueshme të Aleksandar Vuçiçit.

Mesazhi i Prishtinës është i qartë, thanë ata, të rrënojë jetët tona këtu, por e ka gabim nëse mendon se ndihemi të frikësuar. Përderisa qeveria e Beogradit është me ne, askush nuk na frikëson dot, citon shtypi kosovar të pohojnë disa prej tubuesve.

Kosova është Serbi, janë shprehur ata, e ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Të njëjtët persona shtojnë se po të përsëritet një incident i tillë, atëherë do të organizohen bashkë me autoritetet serbe për të mbrojtur atë që e quajnë “shtetin tonë”.

Atyre iu bashkuan përfaqësues të komunave serbe. Bashke me ta edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës nga Lista Serbe, që kanë ngrirë funksionet. Ministri dhe zëvendëskryeministri i Qeverisë në Prishtinë.

“Po qëndrojmë bashkë siç do të bëjmë edhe më tej. Ne të keqen nuk e duam, por të mos na vijnë mysafirë me pushkë të gjata, sepse do ti duhej të kujtonin mençuritë e popullit të tyre, pasi ne nuk kemi harruar si të ruajmë atë që kemi trashëguar nga të parët tanë”, tha Branimir Stojanovic, Zëvendës Kryeministër i Kosovës.

“Mos na sulmoni dhe heshtni para sulmeve që na bëhen. Para pak ditësh kanë ndodhur sulme në Gjakovë dhe shumë të tjera dhe nuk kemi parë asnjë gjykim nga Prishtina dhe asnjë veprim në mbrojtje të këtyre njerëzve. Të kthyerit dhe ata që kanë ngelur këtu duhet të kenë liri si të gjithë qytetarët në Kosovë”, u shpreh Dalibor Jevtic, Ministër për pakica dhe Kthim.

Serbët e veriut dolën edhe në pikëkalimin kufitar në Jarinjë për të pritur trenin bashkë me policinë e Kosovës.

Top Channel