Kreu i FRPD-së: Flet për votën njeriu që shkatërroi procesin politik

15/01/2017 00:00

Kreu i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, reagoi pas fjalës së mbajtur nga kryeministri Edi Rama në 25-vjetorin e krijimit të FRESSH-it, duke thënë se kreu i qeverisë “mbajti një fjalim të gjatë, të gjatë, të gjatë dhe tha atë që e ka mjeshtrinë e tij më të madhe, mashtrim, mashtrim, mashtrim”.

“Flet për votën njeriu që shkatërroi procesin politik. Njeriu që futi krimin për të shantazhuar për votën, përdori hashashin për të marrë votën, lekët e krimit dhe korrupsionit për të blerë votën. Njeriu i cili refuzoi procesin politik dhe zgjedhjet edhe brenda vetë PS-së, duke u rizgjedhur në krye të partisë me referendum dhe 95.5% të votave. Sot nuk tha asnjë fjalë për 300 mijë vendet e punës sepse dhe në atë sallë 90% e atyre në moshë pune janë të papunë. Se jo vetëm s’ka hapur asnjë vend pune, por e ka shtuar papunësinë varfërinë e mjerimin. Sot nuk u tha asnjë fjalë të rinjve për arsimin e lartë sepse është përgjegjës për kaosin e shkaktuar. Mijëra maturantë humbën të drejtën e zgjedhjes së degës në bazë të meritë preferencës. Mijëra maturante u shtynë drejt universiteteve private duke rritur dëshpërimin tek prindërit për të siguruar paratë e mjaftueshme për arsimimin e fëmijeve. Qindra studentë u detyruan të ndërpresin studimet për shkak të tarifave të rritura në universitete”, u shpreh Këlliçi.

Top Channel