PD: Peza, 1 miliardë e 100 milionë!

15/01/2017 00:00

Partia Demokratike, me anë të zëdhënëses Ina Zhupa, kërkon transparencë dhe hetim për pasurimin e papritur të deputetit të Ramës, Alfred Pezës.

“Në të vërtetë, skandali i pasurisë 1 miliardë e 100 milionë lekë të deputetit Alfred Peza, tregon pellgun e madh të korrupsionit të kësaj maxhorance. Miliardat e Pezës janë vetëm pjesa e dukshme e miliardave që kanë përfituar deputetë, ministra e njerëz të afërt me Edi Ramën, qysh ditën e parë që erdhën në pushtet. Kur Alfred Peza ka arritur në pak vite të shumëfishojë pasurinë e tij, përfytyroni sa miliarda ka bërë Ilir Beqaj, Damian Gjinknuri, Saimir Tahiri, Arben Ahmetaj, Erjon Veliaj, e më tej, Edi Rama vetë”, tha Zhupa.

“Peza nuk ka firmosur vetë tendera e koncesione dhe ka bërë 1 miliardë e 100 milionë. Po Beqaj i koncesioneve, po Tahiri i mijëra parcelave me drogë, po Ahmetaj i çarterave, tatimeve e doganave, po Gjiknuri i energjisë e aferës CEZ, po Veliaj i pallateve e industrisë së mbetjeve. Po Edi Rama, tek i cili dorëzohet haraçi më i madh? Miliardi i Pezës meriton hetim të shpejtë e serioz, por, përveç kësaj, është dëshmia më e pastër se sa dhjetra miliardë kanë vjedhur Edi Rama e të tijtë në këto 3 vite e gjysmë. Ndërkohë që ata bëjnë miliardat, populli zhytet në varfërinë më të skajshme dhe njerëzit braktisin vendin çdo ditë. Këta hajdutë duhen ndalur. Shqiptarët meritojnë një qeveri për shqiptarët, një qeveri për njerëzit, që ta kontrollojnë e ta kenë në dorën e tyre”, shtoi Zhupa.

Top Channel