25-vjetori i FRESSH-it, Rama nuk përmend koalicionin

15/01/2017 13:00

Në 25-vjetorin e Forumit Rinor Socialist, një nga ish-kryetarët nuk ishte. Mungesa e Ilir Metës ra në sy edhe gjatë fjalimit të kryeministrit Edi Rama, i cili nuk përmendi asnjëherë koalicionin, kur foli për reformat e qeverisë së tij në këtë mandat.

Megjithatë, kreu i qeverisë u fokusua tek rëndësia e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje. 

“Kur Shqipëria është në kushtet që rrit rrogat dhe ul borxhin, a ia vlen vota? Nëse sot paguajnë më pak 97 përqind, si nuk vlen vota? Këtë e bëri vota për Partinë Socialiste. Që politika të jetë më e mirë, sa më shumë njerëz duhet të votojnë për Partinë Socialiste”, tha Rama.

Për të treguar se ku ndryshojnë socialistët nga demokratët, kryeministri Edi Rama mori shembull Bashkinë e Tiranës gjatë drejtimit të Lulzim Bashës dhe Erion Veliajt: “Si qenka njësoj të votosh për një kryetar bashkie që fle në zyrë apo për një kryetar bashkie që i fillon takimet e punës në orën 6 e gjysmë të mëngjesit”.

Kryeministri foli për disa gabime të qeverisjes, pa i detajuar ato, por, siç thotë, shqiptarët kanë një zgjedhje të qartë për veten.

“Nuk është zgjedhje mes të bardhës apo të zezës, por mes të ardhmes dhe së shkuarës. Kush shikon nga e ardhmja, nuk ka asnjë zgjedhje tjetër përveç Partisë Socialiste”, tha Rama.

Top Channel