Mitrovicë, serbët në protestë kundër forcave speciale

15/01/2017 00:00

Dhjetëra qytetarë serbë janë tubuar në Mitrovicën e Veriut për të protestuar praninë gjatë një nate më parë të forcave speciale të Policisë së Kosovës në pikën kufitare të Jarinjës.

Sheshi “Car Llazari” është vendi ku janë mbledhur ata, të cilët e cilësojnë këtë veprim si tentativë për të frikësuar popullatën serbe në këtë pjesë të vendit, raporton KTV.

Në anën tjetër në Serbi, në ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, në orën 11:00 ka nisur mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të cilin e ka thirrur e po e kryeson presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç. Aty marrin pjesë edhe kryeministri Aleksandar Vuçiç; ministri i Mbrojtjes Zoran Djordjeviç; ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviç; ministri i Drejtësisë Nela Kuburoviç; shefi i Shtabit të Përgjithshëm Ljubisha Dikoviç; si dhe drejtori i Policisë Vladimir Rebiç.

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç, gjatë konferencës së jashtëzakonshme për mediet të mbajtur mbrëmë, ka bërë të ditur se ka urdhëruar që treni i nisur dje nga Beogradi me destinacion Mitrovicën të kthehej mbrapsht, vetëm për të penguar një konflikt të gjerë të mundshëm.

“Shqiptarët kanë dërguar në veri, pa lejen e NATO-s dhe faktorëve të tjerë përkatës, 17 automjete të blinduara të tipit ‘Kobra’ me pjesëtarë të njësisë speciale, me qëllim provokimin e një konflikti të gjerë në atë pjesë të territorit”, ka thënë mes të tjerash Vuçiç.

Siç raporton gazetarja e “Telegrafit” nga vendi i ngjarjes, në protestë është i pranishëm edhe shefi i grupit parlamentar të “Listës Serbe”, Slavko Simiç. Veç tij, të pranishëm janë edhe Aleksandar Spiriç, kryetar ilegal i Mitrovicës, si dhe Stefan Bulloviç, kryetar i Zubin Potokut, Zoran Todiç, kryetar ilegal i Leposaviçit, Iva Todosijeviç, kryetar ilegal i Zveçanit.

Burime të “Telegrafit” bëjnë të ditur se qytetarë të shumtë kanë ardhur nga 4 komunat veriore të Mitrovicës.

Top Channel