NATO, te portat e Rusisë. 3.500 ushtarë në Poloni, zemërohet Kremlini

15/01/2017 00:00

Mbërritjen e trupave amerikane në Poloni, kryeministrja Beata Szydlo e ka cilësuar si një ngjarje të shënuar që do të kontribuojë në sigurinë e vendit. Rreth 3.500 ushtarë amerikanë u dërguan në Poloni, në atë që duket të jetë një mesazh i qartë për Rusinë.

“Sot është një ditë e shënuar, pasi ne po presim këtu në Zagan, ushtarët amerikanë që përfaqësojnë ushtrinë më të madhe e më të fuqishme në botë”, tha Beata Szydlo, kryeministre polake.

Trupat, bashkë me tanket dhe artilerinë e rëndë janë pjesë e një operacioni të NATO-s për të fuqizuar mbrojtjen tek aleatët e Europës Lindore, që ka nxitur zemërimin e Kremlinit.

Në një deklaratë, Moska e cilësoi këtë si një hap agresiv në kufijtë e saj. Ky është përforcimi më i madh i ushtrisë amerikane në Europë në dekada. Nga muaji shkurt, trupat do të fillojnë të zhvendosen nëpër rajon, për të trajnuar trupat aleate në Bullgari, Estoni, Letoni, Lituani e Rumani.

Polonia dhe ish-republikat e Bashkimit Sovjetik kërkuan përforcime nga SHBA dhe NATO pas aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska në vitin 2014.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel