Rikthehet dëbora në veri, probleme në qarkullimin rrugor

15/01/2017 00:00

Si pasojë e temperaturave që shënojnë -10 gradë në rrethin e Bulqizës, shumë rrugë nacionale dhe rurale janë pushtuar nga akulli.

Aksi rrugor Bulqizë-Peshkopi ka një prani të theksuar akulli në segmentet Ura e Çerenecit-Librazhd, Bulqizë-Krastë, ku lëvizet me zinxhirë, sikurse edhe në aksin Ura e Çerenecit-Ostren i Madh dhe Ostren i Vogël.

Probleme në qarkullimin rrugor shfaqen edhe në njësitë administrative të Ostrenit, Trebishtit, Martaneshit, Zerqanit dhe Fushë Bulqizës, si pasojë e borës dhe akullit. Në këto zona, trashësia e dëborës ka arritur në 40 centimetra.

Situatë e vështirë paraqitet edhe në Qafën e Buallit, segment që të çon për në minierat e zonës D, problematikë jo vetëm prej akullit dhe borës nëpër rrugë, por edhe prej terrenit të vështirë.

Ndërkohë, policia e Qarkullimit Rrugor nuk ka lejuar të lëvizë asnjë automjet pa zinxhirë, pasi rreziku i aksidenteve është tejet i lartë. Firmat pastruese gjithashtu kanë vijuar punën në akset Bulqizë-Peshkopi dhe Bulqizë-Tiranë, për pastrimin e rrugës dhe kriposjen e saj.

Në qytetin e Peshkopisë ka pasur reshje dëbore me intensitet dhe trashesia ka arritur afërsisht 15 centimetra, ndërsa në zonat malore deri në 30 cm. Rrugët nacionale Peshkopi-Bulqizë dhe Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës kalohen me zinxhirë.

Top Channel