John Kerry, rikthim në shtëpinë e armikut

15/01/2017 00:00

Një vizitë në shtëpinë e armikut. Kështu mund të konsiderohet ajo e Sekretarit në largim të Shtetit, John Kerry, i cili është rikthyer në Mekong Delta të Vietnamit, 46 vite pas luftës.

Ish-togeri i Marinës amerikane është takuar me një 70-vjeçar, ish-anëtar i “Viet Cong”, apo siç njihet ndryshe Fronti për Çlirimin Kombëtar, i cili e mbante mend mirë sulmin e 1969-s. Dikur armiq, tashmë ata shtrënguan duart me njëri-tjetrin.

Kerry, i cili ndodhet në Vietnam si pjesë e udhëtimit të tij të fundit përpara largimit nga posti që mban, fitoi medaljen e trimërisë për shkak të veprimeve të tij, por me t’u kthyer në atdhe u bë një aktivist i zellshëm kundër asaj lufte. Përpara ish-armikut të tij, Vo Ban Tam, Kerry tha se “i vinte mirë që të dy ata ishin ende gjallë”.

Tam, një fermer karkalecash tashmë, tha se njihte dikë të qëlluar dhe të vrarë prej Kerryt, ndërkohë që kujtonte planin e sulmit në momentin e parë që pikasën anijet patrulluese amerikane.

Njësia e “Viet Cong” zotëronte gjithashtu edhe një raketahedhëse, e përdorur për të qëlluar ushtarët amerikanë, në mënyrë që t’i detyronin ata të qëndronin larg tyre. Gjithsesi, Kerry u tregua tejet i guximshëm në atë kohë, duke kërcyer mbi breg dhe nisi të ndiqte agresorin, madje qëlloi për vdekje edhe operatorin e raketahedhësit.

Kerry, asokohe 26 vjeç, u vlerësua për shpëtimin e jetëve të ekuipazhit të tij, ndërsa ka marrë edhe Yllin e Argjendtë të ushtrisë amerikane për trimërinë. Tam tha se luftëtari i vdekur prej tij ishte Ba Thanh, 24 vjeç në kohën e luftës, por që Kerry kurrë nuk ka pasur dijeni për moshën apo emrin e të vrarit nga duart e tij. Megjithatë, në kohën kur Kerry kandidoi për president në vitin 2004, përpjekje e pasuksesshme, ai u përball me kritika të ashpra se kishte qëlluar një adoleshent.

Sa i përket vizitës së fundit, Kerry u shpreh se rikthimi në skenën e asaj ngjarjeje ishte i çuditshëm dhe surrealist. Ky është edhe udhëtimi i tij i katërt në Vietnam nën rolin e kryediplomatit amerikan. Nën administratën “Obama”, veterani i luftës është njohur për ndërmarrjen e hapave specifike për të përmirësuar marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Vietnamit.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel