Shtyhet kampionati, Korabi rikthehet në shtëpi

14/01/2017 00:00

Faza e tretë e Kategorisë Superiore do të nisë në datën 28 janar. Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet një komunikate për shtyp bëri të ditur se  vendosi të shtyjë me 1 javë rifillimin e kampionatit për shkak të kushteve jo të mira të motit dhe temperaturave të ulëta që mbërthyen të gjithë vendin.

Federata Shqiptare e Futbollit i kishte filluar prej ditësh bisedimet me drejtuesit e 10 klubeve të Kategorisë Superiore duke arritur edhe konsensusin e plotë me ta.

Veç kushteve  klimaterike, njëra prej skuadrave të Superiores, Korabi, kishte mbetur pa fushë, pas prishjes së marrëdhënieve me Tiranën dhe Kukësin, ndërkohë që zgjidhja emergjente e Peqinit nuk ishte më një mundësi.

Duke përfituar nga kjo shtyrje, ata me sa duket janë të bindur se rikthimi i superiores do t’i gjej në shtëpi dhe tifozët e tyre pas 53 vitesh do ta shohin Korabi, më 28 janar në fushën e tyre.

Dëbora e rënë këto ditë në të gjithë vendin kanë ndërprerë edhe punimet në këtë stadium, ku problem madhor mbetet rrethimi i tij si një element sigurie shumë i rëndësishëm, por që edhe ky me sa duket do të jetë i gatshëm për ndeshjen e parë.

Ndërkohë skuadrat e tjera si Tirana, Partizani, Flamurtarui, Skëndërbeu dhe Kukësi mbeten ende në Antalia, duke rimenduar kthimin, pas lajmit për shtyrjen e rifillimit të sezonit.

Top Channel