Ish-agjenti britanik: FBI injoroi dosjen ruse për Trump

14/01/2017 00:00

Ish-agjenti i shërbimeve sekrete britanike, Christopher Steele ka qenë shumë i shqetësuar për mosinteresimin e FBI-së amerikane, së cilës i ranë në dorë të dhëna për dosjen e supozuar ruse për Donald Trump.

Siç shkruan gazeta “The Independent” e Londrës, për muaj të tërë Byroja Federale amerikane nuk e preku atë.

Christopher Steele vendosi t’ia kalonte zbulimet e tij zyrtarëve amerikanë dhe atyre britanikë të shërbimeve sekrete, pasi arriti në përfundimin se informacionet që kishte siguruar nuk duhet të ishin vetëm në duart e kundërshtarëve politikë të Trump, që kishin kërkuar shërbimet e tij.

Kjo, pasi në lojë ishte edhe një çështje që prekte sigurinë kombëtare të të dyja vendeve, thuhet në shkrimin ekskluziv të “The Independent”.

Burime pranë strukturave të sigurisë theksojnë për gazetën se ish-agjenti britanik filloi të frustrohej gjithnjë e më shumë me heshtjen dhe neglizhencën e FBI-së, saqë arriti në përfundimin se kishte të bënte me një mbulim dhe intrigë të fshehtë për të bllokuar hetimin ndaj Trump, duke u foksuar më shumë në hetimin e email-eve të rivales Hillary Clinton.

Agjenti britanik, vijon gazeta, kishte dërguar një njoftim ku i bënte të ditur FBI-së se, stafi i fushatës elektorale të Trump kishte rënë dakord me një kërkesë ruse për të zbutur vëmendjen ndaj ndërhyrjes së Moskës në Ukrainë. Dhe katër ditë më vonë, Trump deklaroi se do të njihte aneksimin e Krimesë nga Moska.

Ndërkohë, ish-agjenti britanik aktulaisht ndodhet në arrati, pasi përndiqet nga disa deputetë konservatorë britanikë, të cilët, siç thotë ai, po punojnë për të minuar shanset e kryeministres britanike për të mundësuar marrëdhënie të frytshme me administratën e Trump, ndërkohë që disa të tjerë e akuzojnë se është pjesë e një konspiracioni anti-Brexit.

Top Channel