Ndalet treni serb, Mustafa: S’do ta lejonim hyrjen e tij

14/01/2017 00:00

Auroritetet kosovare kishin urdhëruar ndalimin e hyrjes së trenit serb të nisur nga Beogradi, përpara se ai të ndalej nga vet serbët 10 km larg kufirit me Kosovën, në Rashkë.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, gjatë një konferencë të jashtëzakonshme e quajti një situatë tërësisht të panevojshme të krijuar nga Serbia, në kuadër të lojërave të saj të pandershme.

“Kthimi prapa i këtij treni është vendim i duhur dhe hyrja e tij në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës nuk do të lejohej, ose në rast se do të hynte, do të trajtohej në përputhje me ligjet e saj. Republika e Kosovës është thjeshtësisht e përkushtuar që të kontribuojë në lëvizjen e lirë të qytetarëve, por nuk do të lejojë provokime të tilla, që kanë për synim përfundimtar kthimin e Kosovës dhe rajonit në vitet e errëta të konflikteve të paparashikueshme”, tha Mustafa.

Përveç pranisë së forcave të KFOR-it, Kosova dërgoi forcat speciale në kufi për t’u përballur me çdo lloj përshkallëzimi të situatës. Në një intervistë telefonike për Top Channel, ministri i Brendshëm i Kosovës Skënder Hyseni tha se situata është nën kontroll.

“Kemi qenë të mobilizuar që ta pengojmë hyrjen e këtij treni në Kosovë, sepse është një linjë e padeklaruar dhe kemi mobilizuar njësitë e policisë, që treni të mos lejohet, por të jetë në linjë me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Hyseni.

Policia e Kosovës, më herët kontrolloi shinat e trenit në linjat hekurudhore në territorin e Kosovës, duke hedhur poshtë çdo pretendim serb për vendosje eksplozivi në trasenë ku do të kalonte treni me parrullat provokuese serbe.

Për kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, “institucionet e Kosovës, duke respektuar urdhrin e Presidentit Hashim Thaçi për ndalimin e hyrjes së trenit serb në Kosovë, treguan vendosmërinë për ruajtjen e sovranitetit shtetëror, pasi ky tren i mbuluar me mbishkrime nacionaliste serbe kishte për qëllim provokimin e radhës nga Beogradi”.

Edhe për ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj, “Serbia po tregon që është burim konflikti, jostabiliteti dhe provokimi. Është shtet që jeton me të kaluarën e errët”. Kryetari serb i veriut të Mitrovicës, Goran Rakiç ka kërkuar largimin e trupave “Rosu” duke kërcënuar në një intervistë për “Tanjug” se serbët do të bllokojnë rrugët në veri të Kosovës.

Top Channel