Akuzat e Vuçiç: Kosova, lojëra lufte! Policia e Kosovës vendosi eksploziv në shina

14/01/2017 00:00

Treni nga Beogradi për në Mitrovicë nuk arriti në stacionin e fundit. Pas 10 orësh rrugë, ai arriti deri në kufi. Kjo e irritoi qeverinë serbe.

“Kosova po luan lojëra lufte”. Kështu e ka nisur konferencën e jashtëzakonshme kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sipas të cilit, Policia e Kosovës ka vendosur eksplozivë në hekurudha dhe më pas ka pasur plan arrestimin e të gjithëve në tren.

Ai ka thënë se nuk ka qenë një tank apo makinë luftarake, por një tren që duhet të lidhë njerëzit dhe vendet. Vuçiç i ka pasur të qarta porositë për Kosovën dhe ka thënë se Serbia nuk do ta tolerojë një gjë të tillë.

“Kjo është lutja ime e fundit dhe porosia e fundit për shqiptarët në Kosovë e Metohi, por edhe për serbët. Serbët duhet të rrinë në Kosovë, kurse për shqiptarët, mos provoni të sulmoni serbët me armë, sepse Serbia nuk do ta tolerojë një gjë të tillë. Kjo është porosi e imja për tërë botën. Nuk duhet ta rrënojmë paqen në Ballkan, por le ta dinë mirë se çfarë po i porosis. Mos i vrisni serbët, se do të detyrohemi t’i mbrojmë”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.

Ai ka thënë se ka urdhëruar që treni të mos e vazhdojë rrugën. Në orën 08:00 të mëngjesit, treni ishte nisur nga Beogradi për të nisur linjën pas 18 vitesh për në Mitrovicë. Në të ishin shkruar mbishkrime në gjuhë të ndryshme “Kosova është Serbi”, ndërsa brenda tij ishin vendosur informacione mbi trashëgiminë kishtare kryesisht.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës janë ngritur në nivelin më të lartë prej vitesh.

Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka mbledhur Këshillin e Sigurisë së vendit të tij për të diskutuar – siç është shprehur, – për sjelljet e shqiptarëve dhe problemet e sigurisë të krijuara me Kosovën së fundmi. Ai ka thënë se do të njoftojë Rusinë, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me këto probleme.

Top Channel