Alarmi për bombë, Policia e Kosovës kontrollon hekurudhën e trenit serb

14/01/2017 00:00

Treni i nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës ka rritur tensionet në qytetin verior të Kosovës. Në mediat e Kosovës ka nisur të qarkullojë lajmi se është vendosur një sasi lënde eksplozive në hekurudhën ku parashikohet të kalojë ky tren.

Sipas zëvendësdrejtorit të Policisë së Kosovës për pjesën Veriore të Mitrovicës, Besim Hoti, pas  qarkullimit të lajmit për një mjet shpërthyes në hekurudha, policia ka  dal në vendin e ngjarjes për të verifikuar nëse ka ndonjë mjet shpërthyes apo jo.

“Një lajm ka qarkulluar nëpër portale të ndryshme për vendosjen e një mjeti eksploziv diku në hekurudha. E kemi kontrolluar tërësisht hekurudhën dhe një informacion i tillë del të jetë i pasaktë”, ka thënë Hoti për IndeksOnline.

Në fotot dhe videon e IndeksOnline përveç forcave të shumta policore, shihet edhe Njësiti K9 i Policisë së Kosovës, ku qentë shihen duke bërë ekzaminimin e vendit ku do të kaloj treni serb. 

Top Channel