Mjekët u gjobitën për vdekjen e Dorinës, gjykata: Nuk u kërkuan analizat

14/01/2017 00:00

Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin e dhënë në muajin dhjetor ku u dënuan me nga 400 mijë lekë gjobë dy mjekët Elona Burba dhe Petrit Rexhepi për akuzën e mjekimit të pakujdeshëm që solli për pasoje vdekjen e Doriana Hakës, dy javë pasi kishte sjellë në jetë fëmijën e saj të parë.

Edhe pse gjykata i shpalli fajtor dy mjekët, ata u dënuan me gjobë dhe jo me burgim, siç kishte kërkuar prokuroria. Në zbardhjen e vendimit, gjyqtari Altin Abdiu ka argumentuar se në vlerësim të gjithë provave dhe dëshmive të marra në shqyrtim, rezulton se mjekët e pandehur nuk i kanë kërkuar të ndjerës analizat e përditësuara po i janë referuar analizave që ishin bërë tre javë më parë. Sipas gjykatës, kjo përbën një neglizhencë nga mjekët.

Por nga ana tjetër, gjyqtari ka argumentuar se nga gjykimi nuk u provua pretendimi i prokurorisë, për pakujdesi të mjekëve gjatë dhe pas operacionit. Për këtë arsye sipas gjykatës, fajësia e mjekëve të pandehur qëndron në faktin që nuk i kanë kërkuar të ndjerës analizat e përditësuara.

Por ky fakt në vlerësim të gjykatës nuk mund të lidhet drejtpërdrejtë me ardhjen e pasojës së rëndë, që ishte vdekja e pacientes dhe për këtë arsye mjekët u dënuan me nga 400 mijë lekë gjobë.

Neni 96 i Kodit Penal që sanksionon mjekimin e pakujdesshëm, sipas mjekëve, nuk diferencon fatkeqësitë mjekësore, nga gabimet mjekësore. Kjo është arsyeja pse mjekët së bashku me ministrinë e Shëndetësisë kërkojnë ndryshimin e këtij neni, sipas përvojës botërore.

“Kodi i ri penal të saktësojë mirë mjekimin e pakujdesshëm dhe ta diferencojë qartë nga kategoritë e tjera që nuk përbëjnë çështje penale”, thotw Fatmir Brahimaj Kreu i Urdhrit të Mjekut.

Në draftin e ri të Kodit Penal parashikohet që për gabimet mjekësore, që nuk do të klasifikohen si çështje penale, të ketë forma të tjera ndëshkimi. Bëhet fjalë konkretisht për: Gjoba, vërejtje deri në heqje të licencës së profesionit, kur gjykohet se mjeku është i paaftë të respektojë standardet mjekësore të kohës. Me ndryshimet e reja, këto raste do të gjykohen profesionalisht nga komisione të posaçme, pa ju drejtuar më gjykatave. Kreu i urdhrit të Mjekut thotë se në vitin 2015 janë dënuar 12 mjekë, ndërsa në vitin 2016 janë ndjekur penalisht 8 mjekë të tjerë.

Top Channel