Rally Dakar, Loeb fiton etapën e 11

14/01/2017 00:00

Sebastian Loeb rikthehet të fitojë një etapë në Rally Dakar. Në kategorinë e makinave, piloti francez i “Peugeot” bëri tijin etapën e 11 të këtij kompeticioni me kohën 3 orë 21 minuta e 15 sekonda.

Në vendin e dytë u rendit rivali i tij Stephane Peterhansel me vetëm 18 sekonda më shumë, ndërsa vendi i tretë ishte për argjentinasin “Terranova”. Në renditjen  e përgjithshme vazhdon të jetë në krye Peterhansel me një diferencë prej 5 minutash e 32 sekonda kundrejt bashkëkombësit të tij Loeb në vendin e dytë.

Në kategorinë e motorëve, spanjolli Joan Barreda shënoi një tjetër fitore duke e përvetësuar etapën e 11 me kohën 3 orë 16 minuta e 57 sekonda.

Në vendin e dytë u pozicionua portugezi Gonçalves me 1 minutë e 50 sekonda më shumë, ndërsa në të tretin doli holandezi Van Beveren. në klasifikimin e përgjithshëm të kësaj kategorie, Sunderland është i sigurt në vendin e parë i shkëputur me 33 minuta e 9 sekonda nga Walkner në vendin e dytë, ndërsa i treti është Farres Guell.

Top Channel