Projekti i ri i bashkisë,  10 km korsi për biçikleta

14/01/2017 00:00

Një investim që parashikon 10 km korsi për biçikletat është prezantuar nga bashkia e Tiranës në një takim që kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi me Ambasadoren e Hollandës, Dewi De Weerd si dhe profesorë të ardhur nga Hollanda dhe Universiteti i Tiranës.

Në fjalën e tij, Veliaj u shpreh se një vëmendje e veçantë i është kushtuar promovimit të lëvizjes me biçikleta, jo vetëm si një mënyrë për të reduktuar trafikun në rrugët e Tiranës, por edhe si një lëvizje që nxit jetën e shëndetshme.

“Kemi filluar me disa rrugë, si rrugët kryesore “Dritan Hoxha”, rruga “Gjergj Filipi” te Pallati i Kongreseve, rruga e “Kosovarëve”, pra të gjithë rrugët e reja po pajisen me një korsi të dedikuar biçikletash, por kjo nuk mjafton. Ne duhet të kemi një rrjet, ndaj në buxhetin e këtij viti, kemi projektuar 10 kilometra korsi biçikletash, si një buxhet i veçantë në Bashkinë e Tiranës, si një buxhet që për mendimi tim duhet të vazhdojë të jetë çdo vit, pavarësisht se kush është kryetar bashkie, për të treguar se sa prioritet është kjo për qytetin  “Do të fillojmë me aksin bulevardi “Zogu i Parë”, gjithë bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, aksi nga qendra deri tek rruga e “Dibrës”, deri te Farmacia 10 dhe pastaj nga Farmacia 10 deri në Kinostudio; po kështu me rrugën e re të Kombinatit. Duke pasur një rrjet prej 10 kilometrash, besoj se mund të flasim seriozisht për kulturën e rikthyer të biçikletës në Tiranë”,  u shpreh Veliaj.

Ambasadorja holandeze siguroi mbështetje për çdo projekt që Bashkia e Tiranës do të kërkojë të zbatojë për ndërtimin e korsive dhe stacioneve të qendrimit të biçikletave.

“Të rinjtë janë shumë pozitivë përsa i përket ecjes me biçikletë dhe ju do të keni një mbështetje të madhe, nëse bëni zona për biçikletat dhe jo vendparkime makinash”, tha ajo.

Top Channel