Të amnistuarit lënë qelitë, Manjani: Në fokus, riintegrimi në shoqëri

14/01/2017 00:00

Riintegrimi i personave që dalin nga burgu, si përfitues të amnistisë dhe mirëpritja nga shoqëria shqiptare është tashmë fokusi i qeverisë. Ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ka hapur dyert e burgut 325 në Tiranë, për përfituesit e amnistisë.

“Të gjithë këta njerëz që dalin nga këto institucione ju siguroj që janë të riedukuar, që janë të mundur për tu riintegruar në shoqëri si njerëz të lirë, të cilët në rrethana të caktuara kanë qënë të detyruar të vuajnë dënimin për fajet që kanë bërë, po kjo nuk do të thotë që në pjesën e mbetur këta njerëz të konsiderohn me gisht. Nuk është sistem demokratik. Kjo është ftesa ime për gjithë shoqërinë shqiptare, ti mirëpresim këta njerëz”, tha Manjani.

I pyetur për rastet e personave të dënuar që janë me sëmundje paliative, Manjani shprehu keqardhjen që nuk ishin pjesë e amnistisë, por tha se po shihen metoda të tjera ligjore për ti trajtuar rast pas rasti.

“Po, sepse ata që perëndia ua ka numëruar ditët besoj duhet të ishin pak më dashamirës, po shohim metoda të tjera ligjore për ti trajtuar rasrt par rasti pa cënuar familjet e tjera, se ka dhe familje viktimash në këtë histori”, u shpreh ministri Manjani.

731 të dënuar që kanë përfituar nga amnistia e qeverisë kanë lënë sot qelitë. Një pjesë e vogël e tyre janë në Tiranë, ndërsa numrin më të lartë e ka burgu i Fierit.

Top Channel