Disiplina dënon Luftëtarin

14/01/2017 00:00

Komisioni i Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit, i mbledhur për të shqyrtuar ngjarjet e javës së fundit të fazës së dytë në Superiore ka marrë vendimin për të dënuar me një ndeshje pa tifozë Luftëtarin.

Vendimi është marrë në bazë të relacionit të hartuar nga zyrtarët e ndeshjes së shtëpisë me Kukësin, vendosi që “Luftëtari”, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës pa shkaktuar akte dhune apo ndërprerje të përkohshme të lojës dënohet me zhvillimin e një ndeshje pa spektatorë në stadiumin përkatës si dhe me gjobë në masën 100.000 Lekë.

Një goditje e rëndë kjo për skuadrën gjirokastrite, që pavarësisht se ka treguar nivel të lartë lojë gjatë pjesës së parë të sezonit, mbështetjen e tifozëve e sheh si një armë të fortë për të siguruar sa më parë mbijetesën.

Partizani dhe Skënderbeu, për sjellje të gabuar të spektartorëve, duke përdorur shprehje fyese dhe duke hedhur mjete ndezëse, gjobiten në masën 150.000 Lekë. Me të njëjtën shumë gjobiten edhe Vllaznia dhe Tirana, për shkak të hedhjeve të mjeteve ndezëse nga spektatorët e këtyre skuadrave.

Ramadan Ndreu i Lacit, paralajmërohet se do të jetë subjekt i Kodit të Disiplinës Sportive në rast mospjesëmarrjeje në konferencën për shtyp pas ndeshjes. Në fakt Ndreu nuk është më trajner i kurbinasve, pasi në këtë pozicion është emëruar Bledar Sinella.

Top Channel